Lidhja Demokratike e Kosovës, mbështetur nga partitë opozitare, është në kërkim edhe të dy nënshkrimeve siç deklarojnë vet ata për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj. Këtë nismë për mocion mosbesimi, njohës të çështjeve politike po e konsiderojnë reflektim të arsyeshëm të opozitës, por që nuk shohin diçka konkrete në këtë drejtim, para gjysmës së dytë të muajit korrik.
Njohësi i çështjeve politike, Behlul Beqaj thotë se që nga dita e parë e punës së qeverisë Haradinaj, ka pasur arsye për rrëzimin e saj.
Sipas tij, ideja për rrëzim të Qeverisë mund të gjejë edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, duke u krijuar kështu spektri i ri politik, i cili do të përfundonte procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Por Beqaj thotë se për këtë do të duhej një lloj garancie.
“Nuk mund të lejohet nga ndërkombëtarët të shkohet në zgjedhje nëse ata të cilët insistojnë në zgjedhje paraprakisht nuk japin një lloj të garancisë se do të jenë mbështetës të përfundimit të suksesshëm të procesit të dialogut(Kosovë-Serbi) në kuadër të kufijve ekzistues, dhe besoj se kjo është ajo formula që po ndiqet, dhe nëse kjo ndiqet me bekimin e faktorit ndërkombëtar, nuk e përjashtoj mundësinë që të arrihet synimi i opozitës për të rrëzuar koalicionin qeveritar”, thotë Beqaj.
Gjithashtu, sipas tij, nuk ka pasur gatishmëri të faktorit ndërkombëtar, marrë parasysh rrethanat në procesin e dialogut.
Ndërsa, analisti Ramush Tahiri mendon se nuk ka procedim të iniciativës për rrëzim të qeverisë para gjysmës së dytë të muajit korrik.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës në qershor mbushin 2 vjet, dhe kanë mundësi që edhe një vjet ta marrin pagën pa punu, sepse u njihet mandat i plotë dhe si stazh pune. Nuk besoj pa kaluar qershori që deputetët do ta këpusin mandatin e vet brenda 15 ditëve ose 20 ditëve. Pra nuk ka rrëzim të qeverisë, ose nuk ka procedim të iniciativës për mocion mosbesimi ndaj qeverisë Haradinaj, para shtatorit ose para përfundimit të gjysmës së korrikut”, thotë ai.
Ai thotë se sheh vetëm zhurmë politike, por jo edhe rrëzim të Qeverisë, të paktën deri para muajit shtator.
Votat e LDK-së, të PSD-së dhe Vetëvendosjes nuk mjaftojnë për rrëzimin e Qeverisë, dhe rrjedhimisht, opozita duhet të kërkojë partnerë tjerë për të arritur finalizimin e nismës që ka ndërmarrë.
Ndërkohë, Lista Serbe ka shprehur gatishmërinë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
Por, sipas Artan Muratit nga Instituti Demokratik i Kosovës, Qeveria nuk do të duhej të rrëzohej me votat e Listës Serbe, meqë në këtë mënyrë veç sa do të fuqizohej politikisht Lista Serbe.
“Nuk konsideroj që vetëm opozita mund të bëjë diçka e vetme, mirëpo nuk do të ishte aspak e çuditshme sikur një subjekt politik nga koalicioni qeverisës të votojë për rrëzimin e kësaj qeverie, sepse edhe në të kaluarën kemi parë veprime të tilla. Ajo çka dihet, çka mund të thuhet me siguri është se po thuajse është fare e besueshme që kjo qeveri do ta qojë mandatin deri në fund”, thotë Murati.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përveç takimit që ka zhvilluar me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, ai është takuar edhe me Shpend Ahmetin e PSD-së për të diskutuar rreth hapave tutje për të finalizuar me sukses mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.
Në LDK kanë deklaruar se nuk do të kërkojnë votat e Listës Serbe për rrëzim të Qeverisë, por që në momentin që mocioni del në votim, ata nuk do të ndërhyjnë në votën e deputetëve, qofshin ata të Listës Serbe apo secilit subjekt politik.
Target i LDK-së, sipas tyre, janë deputetët e partive në pushtet, që janë të pakënaqur me punën e Qeverisë.
Ditë më parë shefi i deputetëve të LDK-së është takuar me atë të Vetëvendosjes, të PSD-së, dhe me deputetin Ilir Deda dhe Mimoza Kusarin, për të diskutuar për këtë çështje, dhe kanë harmonizuar tekstin e mocionit të mosbesimit.
Më vonë, deputeti Milaim Zeka i cili votat i mori nën ombrellën e Nismës për Kosovën e tashmë është deputet i pavarur, ka deklaruar se do të votojë për rrëzimin e Qeverisë.