Detyrimet e Kosovës ndaj kompanisë turko-amerikane “Bechtel&Enka”, kanë marrë fund. Gjoba prej 53 milionë euro që kjo kompani i kishte vënë shtetit për zvarritje të punimeve dhe vonesa në pagesa është paguar më në fund. Shlyerjen e këtij borxhi e ka konfirmuar vetë Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ndryshe, “Arbën Xhaferi” është lëshuar për qarkullim më 29 maj të këtij viti dhe i ka kushtuar buxhetit rreth 700 milionë euro.
Kosova nuk i ka më asnjë cent borxh kompanisë që ndërtoi autostradën që lidh Prishtinën me Shkupin. Gjoba që “Bechtel&Enka” i kishte vënë shtetit të Kosovës për zvarrite të punimeve dhe vonesa në pagesa është shlyer më në fund.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj i ka thënë Express-it se borxhi ndaj kësaj kompanie është paguar.
“Janë paguar të gjitha obligimet përpos punës shtesë. 53 milionëshi është paguar. Për datë nuk e di sepse shkon nëpërmjet sistemit të financave”, ka thënë Lekaj.
Ndryshe, për shkak të mosrespektimit të kontratës, kompania amerikano-turke kishte detyruar Qeverinë e Kosovës të paguaj 53.1 milionë euro.
Arsyet ishin për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve në të kundërtën kushtëzuan se i ndërpresin punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” për ta dërguar lëndën në Arbitrazhin ndërkombëtar. Menjëherë pas këtij paralajmërimi, Qeveria Haradinaj mori vendim që ta shlyejë këtë borxh.
Kyeministri Ramush Haradinaj pati thënë se po i ndajnë këto para për të mos u përballur me procese gjyqësore. Ky vendim i të parit të ekzekutivit ishte vënë nën llupën e organeve të hetuesisë.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi kishte konfirmuar se Prokuroria dhe Policia Hetuese janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove shtesë për këtë kompani.
“Prokuroria, së bashku me Policinë Hetuese, do të mbledhë të dhëna dhe informacione të nevojshme për t’u siguruar se a ka dyshim të arsyeshëm se a është kryer ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare“, kishte thënë Lumezi.