QKSS: “Projekti 5000” i Serbisë, shqetësime për ndryshim të ekuilibrit ushtarak

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), të martën ka publikuar raportin me titull “Çka është “Projekti 5000” i Serbisë dhe pse duhet të jemi të shqetësuar?”, i cili shqyrton zgjerimin e forcave speciale ushtarake të Serbisë nën “Projektin 5000” dhe pasojat e tij të mundshme në paqen dhe stabilitetin rajonal.

Në raport thuhet se nisma “Project 5000” synon të forcojë forcat speciale serbe, duke e rritur numrin e tyre nga 1500 në 5000.

Kjo nismë thuhet se sinjalizon një qëllim të qartë për të forcuar aftësitë ofanzive dhe operacionet speciale.

“Nisma për të zgjeruar ndjeshëm numrin e forcave speciale nga 1500 në 5000 sinjalizon një qëllim të qartë për të forcuar aftësitë ofanzive dhe operacionet speciale. Kjo lëvizje tregon një fokus në forcat fleksibël, me reagim të shpejtë, të afta për të ekzekutuar një gamë të gjerë operacionesh ushtarake, duke nënvizuar një zhvendosje drejt aftësive ushtarake më dinamike dhe të gjithanshme”, thuhet në raport.

Sipas raportit ky zgjerim ambicioz ngre shqetësime kritike në lidhje me ndryshimin e ekuilibrit ushtarak dhe rrezikun e rritur të tensioneve rajonale.

“Neutraliteti ushtarak i vetëshpallur i Serbisë është gjithnjë e më i vështirë për t’u përshtatur me lëvizjet e saj të fundit strategjike, duke përfshirë rikthimin e mundshëm të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, investime të rëndësishme në armatim të avancuar dhe përmirësimet gjithëpërfshirëse të forcave të saj speciale që synojnë rritjen e kapaciteteve ushtarake. Këto zhvillime japin një pamje të një vendi që po forcon në mënyrë aktive forcën e tij ushtarake dhe gatishmërinë operacionale. Veprime të tilla janë në kontrast të thellë me parimet e neutralitetit ushtarak. Divergjenca midis deklaratave zyrtare të Serbisë për neutralitet dhe përparimeve të saj të prekshme ushtarake sugjeron një mospërputhje midis politikës së deklaruar dhe strategjisë aktuale ushtarake”, thuhet në raport.

Sipas raportit forcimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë, veçanërisht në kontekstin e raportit të saj me Kosovën dhe sfidave më të gjera rajonale, reflekton një politikë më të vendosur të sigurisë. “Kjo politikë ndikohet nga partneriteti strategjik i Serbisë, veçanërisht me Rusinë dhe Kinën, dhe ka implikime për përpjekjet e integrimit euroatlantik dhe interesat strategjike të NATO-s në Ballkan”, thuhet në raport.

Megjithëkëtë thuhet se pavarësisht synimeve ambicioze të ‘Projektit 5000’, ka sfida të rëndësishme për zbatimin e suksesshëm të tij, duke përfshirë uljen e standardeve të rekrutimit dhe përpjekjeve për të përmbushur objektivat e rekrutimit. Këto sfida thuhet se nxjerrin në pah kompleksitetin e përfshirë në zgjerimin dhe profesionalizimin e shpejtë të forcave të armatosura.

Kjo analizë thuhet se nënvizon nevojën urgjente për dialog dhe bashkëpunim midis shteteve të Ballkanit Perëndimor, NATO-s dhe palëve të tjera të interesuara për të adresuar potencialin për përshkallëzimin e konfliktit.

Në këtë raport disa rekomnadime janë dhënë edhe për Qeverinë e Kosovës.

Sipas QKSS-së Qeveria duhet të investojë më shumë në institucionet e inteligjencës dhe të zhvillojë aftësi të reja të mbledhjes së informatave për të ofruar paralajmërim të hershëm.

Tutje në rekomandime thuhet se Agjencia e Inteligjencës së Kosovës dhe Policia e Kosovës duhet të shtojnë mjetet dhe sensorët për të monitoruar situatën në veri të Kosovës, ndërsa policia kufitare duhet të rrisë prezencën dhe patrullimet e saj përgjatë kufirit me Serbinë.

Sipas raportit Qeveria duhet të rrisë bashkëpunimin me partnerët strategjikë në shkëmbimin e informacionit.

“Duke pasur parasysh ndryshimet e rëndësishme në peizazhin e sigurisë që nga viti 2014, është e domosdoshme të kryhet një rishikim gjithëpërfshirës i sektorit aktual të sigurisë (RSS). Ky rishikim duhet të synojë të kuptojë zhvillimet dhe sfidat e shpejta që janë shfaqur që nga fillimi i Rishikimit të fundit të Sektorit Strategjik të Sigurisë në vitin 2014. RSS e re jo vetëm që duhet të analizojë infrastrukturën ekzistuese të sigurisë, e cila ka parë rregullime minimale, përveç ndryshimeve sporadike të ndikuar nga figurat kryesore, por gjithashtu duhet të propozojë një qasje të ristrukturuar që përputhet me realitetet aktuale”, thuhet në rekomandimet e raportit.

Në raport thuhet se dhënia e ftesës së NATO-s për Kosovën për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe do të ishte një hap i rëndësishëm në përpjekjet e përgjithshme për parandalimin dhe zmbrapsjen e planeve që mund të organizohen dhe/ose të sponsorizohen nga institucionet serbe të sigurisë për të përdorur dhunën për të ndryshuar statusin e veri të Kosovës.

Sipas raportit Qeveria e Kosovës në konsultim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e sigurisë duhet të konsiderojë zbulimin strategjik të informacionit të ndjeshëm për publikun si mjet për parandalimin e sulmeve të mundshme të planifikuara dhe dhunës nga paraushtarakët me origjinë serbe.

“Qeveria duhet të ndërmarrë hapa konkretë drejt integrimit kuptimplotë të serbëve në veri të Kosovës, duke përfshirë zbatimin e mekanizmave të dakorduar nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve dhe Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e arritur në shkurt të vitit 2023”, thuhet në raport.

Organizatat e sigurisë së Kosovës thuhet se duhet të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta me KFOR-in për t’iu përgjigjur situatave si Banjska dhe të zhvillojnë/vazhdojnë patrullimet e përbashkëta.

“Organizatat e sigurisë së Kosovës duhet të vazhdojnë me hartimin dhe ushtrimet e planeve të reagimit për skenarë të ngjashëm sikurse ajo me Banjskën. Kosova duhet të ketë Forcat e Reagimit të Shpejtë (FRSh) të pozicionuara në veri dhe të gatshme për të ndërhyrë në një fazë të hershme nëse një operacion si Banjska është në zhvillim e sipër”, thuhet në pjesën e rekomandimeve.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme