Qendra Klinika Universitare e Kosovës si dhe të gjitha spitalet regjionale do të furnizohen me gazra nga i njëjti furnitor. Kësaj radhe, gazi oksidul do të vijë nga një prodhues serb
Më datën 5 janar Qendra Klinike Universitare ka publikuar njoftimin për kontratë për furnizim me gazra i ndarë në shtatë pjesë, shkruan Gazeta Shneta.
QKUK ka kërkuar furnizim me oksigjen të lëngët, bombola O2 8.5kg, bombola O2 2.8kg, bombola O2 0.64 kg, bombola me oksidul 30 kg, si dhe dy lloje bombolash të CO2-shit 2 kg dhe 30 kg.
Për këtë tender sipas Zyrës së Prokurimit në QKUK, kanë konkurruar vetëm 2 kompani. Njëra nga to e ka paraqitur autorizimin për marketing të lëshuar nga Agjencioni Kosovar për Produkte Medicinale.
Kompania NPT “Medica” SHPK do të furnizojë QKUK-në dhe spitalet regjionale me 4 lloje të gazrave nga ky tender.
Kjo kompani do të paguhet me 1 milion e gjysmë euro për katër nga 7 pjesët e këtij tenderi. Ajo do të furnizojë spitalet me oksigjen të lëngët, bombola O2 8.5 kg dhe 2.8 kg, si dhe me gaz oksidul.
Sipas certifikatës së autorizimit të marketingut, një kopje të së cilës e posedon Gazeta Shneta, “Medica” do ta sjellë gazin oksidul nga prodhuesi në Beograd “Messer Tehnogas”, e cila është me bazë në Gjermani.
E njëjta kompani ka furnizuar QKUK-në edhe në fazën emergjente, pas vdekjes së tre pacientëve më 7 shtator ku shkaktar dyshohet të jetë ky lloj gazi i prodhuar pa licencë në Kosovë nga kompania “Bubeari Komerc”.
Për kontratën 3 muajshe “Medica” është paguar nga SHSKUK-ja me 257 mijë e 828 euro.
Ndërsa QKUK mund të mbetet pa u furnizuar me gazrat tjera, sikurse CO2, që sipas zyrtarëve të Prokurimit në QKUK asnjë nga kompanitë nuk kanë arritur të paraqesin certifikatën e autorizimit për marketing.