Rexhep Qosja e ka krahasuar Isa Mustafën me Aleksander Vucic duke thënë se Kryeministri i Kosovës kishte dhënë deklarata të njëjta me zyrtarët e Serbisë, kur kishte thënë se Edi Rama po bën deklarata populiste me idenë e bashkimit kombëtar.
Ka akuzuar Shefin e Qeverisë dhe të LDK’së se ende ka mendësi dhe ideologji serbe e jugosllave që kundërshton bashkimi kombëtar.
“Të njejtën ditë kur kryeministri i Kosovës deklaroi siç deklaroi, zëdhënësi i mbipërkushtuar i kryetarit të posazgjedhur të Serbisë dhe njëkohësisht kryeministër i Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, Aleksandër Vulin, iu përgjigj Edi Ramës dhe rrjedhimisht Hashim Thaçit duke thënë: Edi Rama po rrezikon paqen në rajon! Shqipëria dhe Kosova mund të bashkohen vetëm me luftë (me Serbinë)!”, ka shkruar Qosja, në një reagim, në FB.
“E si të marrë përgjigje! Si të marrë përgjigjë kur në institucionet më të larta të Kosovës kemi edhe zyrtarë, në politikën dhe në ideologjinë e të cilëve ende është e përmbajtur ideologjia e Serbisë dhe e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë, prandaj edhe ndaj çdo ideje të bashkimit të saj me Kosovën! Këtyre njerëzve u duhet kohë jo për t’u çliruar prej sentimentalizmit jugosllavist po prej politikës dhe ideologjisë kundërshqipëri të Serbisë dhe Jugosllavisë”, ka shtuar ai.
Edi Rama dhe Hashim Thaçi deklaruar para disa ditësh se do të ndodhë bashkimi kombëtar nëse BE ndalë rrugëtimin e Kosovës dhe Shqipërisë drejt BE’së.
Isa Mustafa kishte thënë se deklaratat e Ramës janë populiste derisa kishte thënë se Kosova dhe Shqipëria do të anëtarësohen në BE.
Postimi i plote i Qoses:
DEKLARATË KUNDËRSHQIPTARE PA PËRGJIGJE!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më 18 prill deklaroi: në qoftë se Bashkimi Evropian vazhdon të tregojë mënjanëri për kohë të pacaktuar ndaj pranimit të shteteve të Evropës juglindore, prandaj edhe të Shqipërisë, në përbërjen e saj, atëherë është e kuptueshme që Shqipëria të bashkohet me Kosovën.
Një ditë më vonë, më 19 prill, Hashim Thaçi e përkrahu deklaratën e Edi Ramës duke thënë se mospranimi i Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian do të bëjë që shqiptarët të jetojnë në një hapësirë të përbashkët, e kjo do të thotë që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen.
Do të isha më i lumtur sikur Edi Rama dhe Hashim Thaçi të kishin deklaruar se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen jo vetëm në qoftë se stërzgjatet integrimi i tyre në Bashkimin Evropian, por edhe në qoftëse integrohen në këtë Bashkim.
Kryeministri i Kosovës e quajti të nevojshme që menjëherë t’u përgjigjet edhe Edi Ramës edhe Hashim Thaçit duke thënë: deklarata e Kryeministrit të Shqipërisë ishte një deklaratë populiste! Kosova mund të bashkohet vetëm me Bashkimin Evropian.
Të njejtën ditë kur kryeministri i Kosovës deklaroi siç deklaroi, zëdhënësi i mbipërkushtuar i kryetarit të posazgjedhur të Serbisë dhe njëkohësisht kryeministër i Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, Aleksandër Vulin, iu përgjigj Edi Ramës dhe rrjedhimisht Hashim Thaçit duke thënë: Edi Rama po rrezikon paqen në rajon! Shqipëria dhe Kosova mund të bashkohen vetëm me luftë (me Serbinë)!
Me këtë deklaratë të zëdhënësit të tij të mbipërkushtuar, kryetari dhe kryeministri i Serbisë Vuçiq e ka thënë shkoqur se: Kosova, me gjuhën e tij e quajtur, Kosova dhe Metohija, është pjesë e Serbisë, nën sovranitetin serb, prandaj po u provua bashkimi i saj me Shqipërinë Serbia do të bëjë luftë!
Ndonjë ditë më vonë deklaratën e Aleksandër Vulinit, në të vërtetë të Aleksandër Vuçiqit, e fuqizoi edhe ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq!
Kjo deklaratë luftarake, pushtuese, me traditë më shumë se njëshekullore, e Serbisë ndaj Kosovës, nuk mori përgjigje prej institucioneve shtetërore të Kosovës!
E si të marrë përgjigje! Si të marrë përgjigjë kur në institucionet më të larta të Kosovës kemi edhe zyrtarë, në politikën dhe në ideologjinë e të cilëve ende është e përmbajtur ideologjia e Serbisë dhe e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë, prandaj edhe ndaj çdo ideje të bashkimit të saj me Kosovën!
Këtyre njerëzve u duhet kohë jo për t’u çliruar prej sentimentalizmit jugosllavist po prej politikës dhe ideologjisë kundërshqipëri të Serbisë dhe Jugosllavisë.