Qumështi i shujtave për fëmijë përplas Ahmetin me Vetëvendosjen

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar me akuza ndaj ish-bashkëpartiakut të tyre, kryetarit të Prishtinës,Shpend Ahmeti.

Tenderi për qumështin është ajo që sipas VV-së, është shkelje që ka bërë Ahmeti. Sipas tyre, qumështi që është pjesë e shujtës, është blerë për 530 mijë euro më shtrenjtë.

Në një konferencë për media, VV-ja ka ngritur dyshime edhe për lidhjet e Ahmetit me kompaninë “Devolli Group”.

Këshilltari Komunal, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, këtë tender e ka quajtur skemë kriminale.

Sipas tij, tenderi paraprak në periudhën 2014-2015, ka qenë me vlerën prej 200.000 eurosh, ndërsa në shpalljen e tenderit për vitin 2018, vlera e parashikuar e tenderit ka arritur në 730.000 euro, pa asnjë studim apo analizë.

Rrahmani thotë se fituesi i tenderit është ditur ende pa aplikuar.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në një përgjigje për KTV-në, ka thënë se do ta padisë ish-partinë e tij.

Ai tha se ata nuk mund t’i tregojnë asnjë kompanie se me çfarë çmimi duhet të konkurrojë. Ahmeti ka thënë se çmimi me të cilin e marrin qumështin, është më i lirë se çmimi në treg.

“Edhe më tutje, çmimi është nën koston e prodhimit dhe larg çfarëdo konkurrence. Tenderi ka filluar në nëntor të vitit 2015, dhe ka qenë vetëm për një gjysmëvjetor. Tash është për vit të plotë. Unë tash i padis, se mo boll u bë”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa Kompania fituese “Devolli Group”, javë më parë, kishte thënë për KTV-së se çmimi në tenderin e parë, ka qenë promocional dhe se edhe tash, është nën çmimin real të tregut.

Për tenderin me qumështin kishte reaguar edhe Demokracia Plus, e cila tha se Komuna i ka paguar 30 mijë euro më shumë kompanisë fituese, duke paguar TVSH-në në vlerë prej 18 përqind e jo 11, aq sa është për qumështin.

Devolli Group ka deklaruar se me të kuptuar gabimin, siç e kanë vlerësuar në përllogaritje, mjetet ia kanë kthyer komunës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme