Gazetar: Angell Dimovski
Karburantet në vend janë më të shtrenjtat kundrejt standardit të jetesës, ndërsa me të ardhurat aktuale qytetarët mezi mbijetojnë, e lëre më të përdorin rregullisht makinat. Të anketuar nga Alsat qytetarët thonë se është e nevojshme që Qeveria të ndërmarrë më shumë masa për të lehtësuar barrën.
“Nuk i kemi më të lirat, nuk është e vërtetë kjo. Ku janë më të lirat? Nuk e di saktësisht, por mendoj se tek ne janë më të shtrenjtat. Me këtë standard që kemi, standardi është i dobët, pagat dhe pensionet janë të ulëta“, tha një qytetar.
“Jo, nuk i kemi më të ulëtat, janë mesatare. Gjithçka është e shtrenjtë“, u shpreh një qytetar tjetër.
“Nuk ka standard, nuk ka për makinë. Nëse flasim për pensionet prej 250 euro, ato mezi mjaftojnë për mbijetesë, ndërsa për karburant as që mendohet“, thotë qytetari.
Që nga fillimi i krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve të karburanteve, autoritetet vazhdimisht kanë pohuar se vendi ka çmimet më të ulëta krahasuar me rajonin dhe se janë vendosur masat më të mira për përmirësimin e fuqisë blerëse të qytetarëve. Fillimisht u miratuan masa për uljen e TVSH-së për naftën, ndërsa më vonë edhe për benzinën. Përveç kësaj, u ulën edhe akcizat, ndërsa furnizuesi më i madh i karburanteve në vend OKTA, miratoi zbritje për qytetarët. Ndërkohë, Qeveria i shfuqizoi masat për uljen e TVSH-së, ndërsa në fuqi mbeti vetëm akciza e reduktuar për naftën. Sot edhe OKTA vendosi të miratojë ulje prej dy denarë për litër, por vetëm për benzinën./Alsat.mk.



