Sipas organizatorëve, në hapjen zyrtare dhe gjatë programit do të marrin pjesë përfaqësues të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë, mes tyre kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Muhamet Hoxha, ambasadori i BE-së Michalis Rokas, drejtori i Sekretariatit të Energy Community, Artur Lorkowski, si dhe drejtori ekzekutiv i MEF dhe ZIP Institute, Agim Selami. Një fjalim të veçantë do të mbajë edhe Fatma Varank. Kjo ngjarje organizohet në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa konsiderohet një nga platformat më të rëndësishme rajonale për diplomacinë klimatike në Evropën Juglindore.
MEF 2026 këtë vit gëzon statusin e ngjarjes zyrtare partnere të Presidencës së COP31, duke u bërë pjesë e përgatitjeve ndërkombëtare për samitin e ardhshëm global për klimën. Përfundimet dhe rekomandimet nga diskutimet në Shkup do të kontribuojnë në përfshirjen e perspektivës rajonale në debatet globale mbi veprimin klimatik, tranzicionin energjetik, qëndrueshmërinë klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.“Në një kohë me rreziqe klimatike në rritje, fenomene ekstreme të motit dhe sfida të shtuara gjeopolitike, MEF 2026 do të fokusohet në tema që lidhen me qëndrueshmërinë klimatike, tranzicionin e drejtë, bashkëpunimin rajonal, burimet e ripërtëritshme të energjisë, investimet e gjelbra, lëndët e para kritike dhe zinxhirët e qëndrueshëm të furnizimit. Forumi do të krijojë hapësirë për zgjidhje të përbashkëta rajonale që lidhin objektivat klimatike me stabilitetin ekonomik, sigurinë dhe kohezionin social”, thonë organizatorët.



