Qytetarët assesi të mësohen si të grupojnë dhe të hedhin mbeturinat

Gazetare: Melihate Rustemi

Deponi të egra mbeturinash po lulëzojnë brenda natës thuajse në çdo lagje të kryeqytetit, pavarësisht se janë të caktuara pikat për hedhjen e tyre, shkruan Alsat.

Si pikë më kritike është ajo në lagjen e Tophanës e cila krijohet një ditë pas pastrimit dhe larjes nga Higjiena Komunale.

Për këtë, qytetarët kritikojnë njëri tjetrin se akoma nuk kanë mësuar rregullat e hedhjes së mbeturinave.

“Nuk ka të bëjë me kontejnerët, ka të bëj me ne, qytetarët që jetojmë këtu. Nëse ne e dimë se si duhet të hidhen mbeturinat atëherë gjithçka do të jetë në rregull. Bërllokun ua japim fëmijëve, ata nuk e hedhin në kontejner por e hedhin në rrugë, punë fëmijësh. Komuna na ndau shporta mbeturinash, ne i dëmtuam ato”, tha një qytetar.

Disa prej qytetarëve thonë se e vetmja zgjidhje për të shpëtuar nga bërlloku është shqiptimi i gjobave të larta. Disa të tjerë ankohen se mbeturinat hidhen edhe nga banorët e komunave tjera të cilët i sjellin me kamion.

“Pastrohet vazhdimisht por bashkëqytetarët tanë hedhin shumë. Unë banoj më lart, njerëzit gjithçka hedhin këtu, sollën edhe shporta por është e kotë, njerëzit nuk janë të vetëdijshëm. Duhet të gjobiten, sikur jashtë vendit. Nuk të rrah, nuk të bën asgjë, të prek në xhep”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Mjedisi jonë është më i ndoturi dhe askush nuk mban përgjegjësi për Tophanën. Nuk hedhin vetë nga Tophan, vijnë nga Karposhi ose Luboteni dhe i hedhin këtu. Vijnë nga të gjitha lagje, më kombi dhe kamion dhe I hedhin, duhet të mbahet llogari”, theksoi një qytetar.

Një punonjës i Higjienës komunale tha për Alsat se problem më të madh paraqet hedhja e mbeturinave voluminoze të cilat shpesh herë edhe i shkaktojnë dëme kamionëve të kësaj ndërmarrje.

“Në këtë lagje edhe pesë kontejnerë të vendosin është e kotë, njësoj do të jetë. Çdo shtëpi ka shporta mbeturinash, vjen Higjiena Komunale dhe i zbraz të njëjtat. Vijnë të martën, të enjten dhe të shtunën, tre herë në javë. Kjo është mjaftueshëm. Për mbeturinat voluminoze duhet të kërkojnë kontejner të posaçëm, ka procedurë për të cilin shërbim edhe duhet të paguajnë”, tha një punonjës në “Higjiena Komunale”.

Nga Higjiena Komunale thanë se ekipet e kësaj ndërmarrje publike janë vazhdimisht në teren. Në periudhën janar-qershor 2022, ekipet e këtij institucioni kanë grumbulluar dhe kanë transportuar gjithsej 76 856 tonë mbeturina nga amvisëritë e Shkupit, në pjesën urbane dhe rurale të qytetit, gjegjësisht  425 tonë në ditë. Janë bërë 11.940 raunde grumbullimi, ose mesatarisht 66 turne në ditë./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme