Gazetar: Bashkim Sulejmani
Pushimet verore në bregdet këtë vit për shumë qytetarë do të mbeten dëshirë e parealizuar. Për shkak të krizës ekonomike, qytetarët thonë se mezi ia dalin t’i paguajnë faturat dhe t’i blenë produktet bazë.
“Jo jo, për bukë nuk ia dalim dot e jo në det të shkojmë. Rëndë është bë vërtetë katastrofë rëndë është, me 2-300 euro çka mund të bësh. Faktuarat s’mund t’i mbërrijmë e jo tjerat, kanë hip çmimet, rryma vaji ushqimet e jo në det që nuk vjen në shprehje aspak”, tha një banor.
“Problem sivjet shumë madje, s’ka para, s’kanë njerëzit para. Shtrenjtimi madh s’mbërrihet asgjë”, tha një tjetër banor.
“Sivjet as që e mendojmë detin, kështu siç është edhe idareja dobët do jetë e jo tjerat, e kemi harru detin. Është duke u bë më keq, njëzet mijë denarë rrogë marr për asgjë nuk del”, u shpreh një banor.
Agjencitë turistike nga ana tjetër thonë se prapëseprapë interesimi është më i madh në krahasim me dy vitet e fundit. Turqia dhe Shqipëria janë destinacionet e preferuara.
“Në krahasim me dy vitet e fundit sivjet ka pak përmirësim, kërkesa është pak më e madhe se vitet tjera, është pak për t’u çudit. Sa i përket kërkesës destinacion më i kërkuar është Turqia, pastaj vjen Shqipëria dhe Mali i Zi”, deklaroi Xhemaledin Demiri, Menaxher i Agjencisë turistike.
Ndërkaq ata që nuk ia dalin dot për të blerë aranzhimet turistike sivjet, kanë zgjedhur të frekuentojnë pishinat e vendit, të cilat, për vetëm 150 denarë, ofrojnë qëndrim ditor në to.
“Ka pak ndikim kriza, po çmimet nuk i kam ndryshuar. …Kjo biletë vlen për tërë ditën. Vazhdojmë me këto çmime që tua mundësojmë të rinjve me pak para të kalojnë pushimet verore”, tha Zeqir Idrizi, pronar pishine.
Çmimet e aranzhimeve për bregdetin turk dhe shqiptarë, sivjet variojnë nga 250 euro për shtatë ditë për një person, deri në ata super luksoze, që janë 5 000 euro për një person për shtatë ditë./Alsat.mk