Instituti për Hulumtime dhe Analiza, përmes një pyetësori me shtatë qendrat kryesore bashkë me qytetarë, ka hulumtuar punën 100 ditëshe të Qeverisë së Kosovës.
Në bazë të këtij hulumtimi, ‘Qeveria Haradinaj’ problem kryesor ka pasur çështjen e Demarkacionit për shënimin e kufirit Kosovë – Mali i Zi, mos liberalizmin e vizave dhe krizën energjetike.
Për gjetjet kryesore të këtij hulumtimi ka folur Arian Janova, koordinator i projektit në Institutin për Hulumtime dhe Analiza, sipas të cilit përmes një pyetësori me 900 respodentë nga shtatë qendrat kryesore të Kosovës, 69 për qind prej tyre nuk kanë njohuri rreth planit qeverisës, përcjell kp.
“Cilat janë fushat kryesore me të cilat po merret “Qeveria Haradinaj”? 32 për qind e qytetarëve mendojnë se është integrimi evropian, 23 për qind është infrastruktura, 19 për qind është shëndetësia, 8 për qind papunësia, arsimi dhe fusha të tjera. Se cilat janë problemet kryesore më të cilat është ballafaquar qeveria Haradinaj? 58 për qind e qytetarëve mendojnë se qeveria Haradinaj problem kryesor gjatë mandatit të tij 100 –ditësh e ka pasur demarkacionin, 30 për qind mendojë se problem ka pasur liberalizmin e vizave, 7 për qind për krizën energjetike, dhe 5 për qind janë tema të tjera”, ka thënë Janova.
Ndërsa, si e arritur e kësaj Qeverie për 100 ditë, konsiderohet shpronësimi në Shipitullë e në Hade dhe projekti ‘Kosova e Re’.
Po ashtu sipas Janovës, e arritur konsiderohet shëndetësia dhe stimulimi i prodhimeve vendore që është bërë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
“Në pyetjen e katërt, se cilat janë tri arritjet më të mëdha të qeverisë Haradinaj? Qytetarët tanë janë përgjigjur se 32 për qind mendojnë se është energjetike, sa i përket shpronësimit në Shipitullë dhe në Hade dhe për ndërtimin e termocentralit të ri, 28 për qind mendojnë se është shëndetësia për vizitat e shpeshta që i ka bërë në QKUK, 17 për qind mendojnë se është stimulimi i prodhimeve vendore që është bërë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, pastaj 10 për qind mendojnë se është arsimi, zhvillimi ekonomik dhe të tjera”, ka theksuar Janova.
Në këtë publikim, Janova ka thënë se një prej dështimeve, është edhe çështja e papunësisë, që sipas tij, nuk ka pasur rezultatet nga kryeministri për zbutjen papunësisë.
“Në pyetjen e pestë se cilat janë tri dështimet më të mëdha të Qeverisë Haradinaj, qytetarët mendojnë se janë shpenzimet e mëdha, numri i madh i ministrave, zëvendëskryeministrave, zëvendësministrave për shpenzimet që janë direkt taksa që i paguajnë qytetarët dhe shpenzohet për këtë kabinet qeveritar, 27 për qind mendojnë për shpenzimet qeveritare, 28 për qind mendojnë është mos realizimi i liberalizmit të vizave, për shkak se kryeministri Haradinaj pati premtuar se brenda 100 ditëshit të tij qeverisës do të bëjë liberalizimin e vizave. Pastaj 25 për qind e qytetarëve mendojnë se është papunësia që nuk kanë parë ndonjë lëvizje të Haradinajt sa i përket zbutjes së papunësisë”, ka thënë ai.
Ky institut ka bërë edhe krahasimin e 100 ditëve të ‘Qeverisë Haradinaj’ me ‘Qeverinë Mustafa”. Janova ka thënë se problem për “Qeverinë Haradinaj’, mbetet numri i vogël e deputetëve të Parlamentit në koalicion qeverisës, në krahasim me “Qeverinë Mustafa” që i kishte 2/3 e deputetëve.
Problem tjetër, në bazë të hulumtimit, sipas Janovës mbetet edhe rritje e shpenzimeve qeveritare për shpenzime të luksit, që qytetarët thonë se “Qeveria Haradinaj’ veç po i rritë këto shpenzime, ndërsa “Qeveria Mustafa” kishte marr disa vendime që t’i ndalonte ato shpenzime.