Gazetare: Ajnur Bafqari
Pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike, derivateve të naftës dhe produkteve ushqimore, qytetarët mund të ballafaqohen edhe me rritje të çmimit të faturës së ujit dhe shërbimeve të tjera komunale. Drejtorët e ndërmarrjeve publike komunale kërkojnë ndihmë financiare nga Qeveria, duke theksuar se kriza e ka vënë në pikëpyetje funksionimin normal të tyre.
“Kërkojmë që të na del në ndihmë dhe të sigurojë ndihmë financiare përmes bllok dotacioneve për mbulim të një pjese të humbjeve ose më konkretisht ta mbulojë dallimin e shpenzimeve për energji elektrike mes çmimit të planifikuar dhe çmimit aktual faktik”, u shpreh Pece Milevski, kryetar i shoqatës.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” theksoi se sipas analizave paraprake, nga muaji shtator, kjo ndërmarrje do të përballet me rritje të pesëfishtë të çmimit të faturave energjetike.
“Vetëm për ilustrim, projekti ynë tregon se NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Shkup nga muaji shtator do të paguajë faturë më të lartë të energjisë elektrike më shumë se gjysmë milion euro në muaj. Kjo rritje në kushtet më të mira është e pesëfishtë”, tha Zlatko Perinski, drejtor i N.P. Ujësjellës dhe Kanalizim -Shkup.
Shoqata e ofruesve të shërbimeve komunale të Maqedonisë së Veriut përbëhet nga rreth 90 ndërmarrje publike nga i gjithë territori i shtetit dhe që të gjithë pajtohen që Qeveria tashmë është obliguar për ndihmë në mbulimin e humbjeve në më shumë segmente të sistemit dhe shpresojnë që do të arrihet një ndonjë marrëveshje. /Alsat.mk