Gazetar: Melihate RrustemI
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur nisjen e procedurave për ndryshimin e “Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut me qëllim mjekimi”. Propozim ndryshimet tashmë janë vendosur në regjistrin elektronik ENER dhe synojnë të reformojnë rrënjësisht sistemin e dhurimit të organeve në vend. Sipas propozimit të ri, çdo qytetar do të ketë mundësinë të deklarohet si dhurues potencial i organeve pas vdekjes në mënyrë shumë të thjeshtë, përmes një deklarate te mjeku amë ose përmes një aplikacioni celular. Në të njëjtën mënyrë, qytetari ka të drejtë të tërheqë deklaratën e tij në çdo kohë nëse ndryshon mendim.
Sipas dikasterit të Shëndetësisë, një nga pikat më rëndësishme të këtij ndryshimi ligjor është fuqizimi i vullnetit individual. Ligji specifikon se nëse një person ka lënë pëlqimin e tij zyrtar për të qenë donor pas vdekjes, familja nuk mund ta parandalojë apo ta bllokojë këtë proces. Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se “qëllimi është që vullneti i qytetarit të jetë primar, sistemi të jetë më transparent dhe vendimi personal t’i kthehet aty ku e ka vendin, te njeriu.” Përveç lehtësimit të procedurave, ligji i ri parashikon: Listën Kombëtare Elektronike, krijimin e një databaze të saktë të të gjithë donorëve, Zgjerimin e donorëve të gjallë, mundësi që më shumë persona të dhurojnë organe sa janë në jetë dhe Komisionin Etik, një trupë speciale që do të monitorojë çdo proces për të garantuar se dhurimi është tërësisht vullnetar dhe për të parandaluar çdo formë presioni apo abuzimi.
Nga Shëndetësia thonë se ky hap konsiderohet si një akt i lartë njerëzie që synon rritjen e vetëdijes publike dhe shpëtimin e më shumë jetëve përmes një sistemi më modern dhe të besueshëm të transplantimit./Alsat.mk.



