Qyteti i Shkupit ka filluar procedurën e vetingut për drejtorët e emëruar të ndërmarrjeve publike. Kryetarja Danela Arsovska paralajmëron zero tolerancë ndaj korrupsionit.
– Advertisements –
“Kjo është një masë sistematike për eliminimin e mundësive për korrupsion brenda qytetit dhe parandalimin e çdo konflikti interesi. Sot ky proces ka filluar me drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe do të vazhdojë me udhëheqësit e departamenteve”, tha Arsovska pas takimit me drejtorët e ndërmarrjeve publike.
Sipas autoriteteve të qytetit, secili prej drejtorëve ka plotësuar tashmë një pyetësor në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe ka nënshkruar një deklaratë se nuk ka konflikt interesi në punën e tyre. Ky proces, siç u tha, do të jetë praktikë për çdo person që aplikon për një pozicion apo promovim.
“Qyteti i Shkupit në këtë mënyrë filloi të punojë aktivisht në përmirësimin e integritetit të vetëqeverisjes lokale me qëllim të zvogëlimit të dukshëm dhe eliminimit të shkeljeve të rënda të procesit të punës lidhur me korrupsionin. Ky është një proces i rreptë i shqyrtimit për të përcaktuar përshtatshmërinë për punësim apo avancim”, shtoi Arsovska.
Zbatimi i procesit të vetingut ishte një nga premtimet parazgjedhore të kryetares Arsovska.
“Qyteti i Shkupit do të vazhdojë me zbatimin e politikës së re të integritetit për forcimin e sjelljes etike dhe profesionale në administratën e qytetit. Vetëm në këtë mënyrë do të vendoset një sistem i qëndrueshëm integriteti brenda institucioneve publike nën juridiksionin e qytetit. Themelimi i këtij sistemi është përkushtim i qartë i menaxhmentit të lartë të Qytetit të Shkupit për zero tolerancë ndaj korrupsionit, si dhe për çdo sjellje të papërshtatshme dhe joetike”, thuhet në komunikatën e Qytetit të Shkupit.