Lista Serbe mund të luajë rol historik në shkatërrimin e sistemit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Hashim Thaçin në krye, i vendosur 18 vjet më parë. Kështu i tha agjencisë serbe të lajmeve, FoNet, politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, e njohur që në vitet e okupimit të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit për mitingjet dhe fushatat antishqiptare, transmeton Koha.net.
Sipas saj kjo mund të ndodhë duke bërë koalicione me njerëz që nuk kanë qenë në pushtet gjatë gjithë kësaj kohe në Kosovë.
“E dimë të gjithë se sistemi i UÇK-së, i cili ndodhet në pushtet gjatë gjithë këtyre 18 vjetëve, simbolizon vrasjet, dëbimet, kidnapimin e serbëve, trafikimin e organeve, spastrimet etnike, rrëmbimin e pronave serbe. Duke hyrë në pushtet, Lista Serbe (Srpska Lista) e ka forcuar dhe në një mënyrë e ka amnistuar koalicionin e luftës, që për ta ka shumë rëndësi, që të kenë serbë të cilët, ja, disi mendojnë se mund të jenë bashkë me të tillë, përgjegjës, të bëjnë koalicion”, thotë Trajkoviq, transmeton Koha.net.
“Nga ana tjetër e dimë se ky koalicion luftarak është krijuar pikërisht nga dy arsye shumë të besueshme, njëra për të krijuar përgjigje të fuqishme sistemore ndaj Gjykatës Speciale e cila me siguri do të funksionalizohet brenda disa muajsh dhe që do kërkojë izolimin, ekstradimin e disa liderëve të UÇK, të cilët kryesisht tani mbajnë pozitat më prominente në Prishtinë. Këta janë Kadri Veseli, Hashim Thaçi, por edhe Ramush Haradinaj sikurse edhe njerëz të tjerë që janë zgjedhur në pushtetin ekzekutiv”, ka shtuar Trajkoviq.
Sipas saj, “Lista Serbe fatkeqësisht ka votuar për të gjithë këta, ndërsa ata do të jenë njerëzit që do të jenë të detyruar të përgjigjen për spastrimet etnike dhe krimet ndaj serbëve, aq e tmerrshme për ne”.
“Kemi mundur të bëjmë një fillim historik, të copëtonim atë sistem, të ashtuquajtur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që është aq i fuqishëm dhe i cili aq shumë i ka rrezikuar serbët në hapësirën e Kosovës e Metohisë tash 18 vjet”, ka thënë ajo.
Trajkoviq thotë se Lista Serbe nuk ka kërkuar asgjë nga koalicioni, pra as Asociacionin, as anulimin e Ligjit për Trepçën, as privatizimin… Siç është shprehur ajo kjo ka ndodhur “me siguri para zgjedhjeve lokale në të cilat pritet të dominojë Albin Kurti dhe partia e tij”.