Një radiostacion shtetëror në Poloni ka zëvendësuar gazetarët, duke vendosur “avatarë”, ose ndryshe moderatorë të krijuar nga Inteligjenca Artificiale.
Bëhet fjalë për OFF Radio Krakow (i riemërtuar tashmë, emri i vjetër i së cilit ishte Radio Kraków), e cila ka ndërmarrë përsipër një eksperiment të tillë.
Gazetarët e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, supozohet se i përkasin gjeneratës Z dhe do të trajtojnë probleme të ndryshme me në fokus më së shumti të rinj, lidhur me kulturën, artin, socialen, ashtu sikurse mendohet se mund t’i jepet më shumë zë shqetësimeve të komunitetit LGBTQIA+, i cili has kundërshtime të shumta dhe nuk i jepet një fokus të gjerë në media.
Por ky ndryshim i këtij stacioni, ka ngjallur polemika.
Media “Notes from Poland” shkruan se stafi i punësuar më herët në këtë radio ka ngritur kritika, e se menaxheri i stacionit është shprehur për ndërprerje të kontratës me ‘ta, me pretendimin se kanali nuk ishte i suksesshëm.
Radio ka dhënë dhe një prezantim të shkurtër të “gazetarëve” të rinj, të cilët përtej të qenurit “qenie false”, pretendohet se përkojnë me rininë reale.
Një prej avatarëve quhet Jakub “Kuba” Zielinski. Ai prezantohet si një 22 vjeçar që studion inxhinieri akustike, një i ri i cili është në kërkim të lajmeve më të fundit në fushën e prodhimit të zërit dhe zgjidhjeve të reja teknologjike.
Personazhi i dytë quhet Emilia “Emi Nowak, një 20 vjeçare, studente e gazetarisë dhe “eksperte” e kulturës pop, që ndjek me pasion tendencat më të fundit në botën e artit, kinematografisë dhe modës.
I treti, i quajtur Alex Szulc, është një personazh i cili do angazhohet në tema që lidhen me identitetin, kulturën queer dhe ndikimin e mediave në shoqëri.
Të gjithë e dimë se radio luan një seri të gjatë me këngë çdo ditë, por ato tashmë në këtë stacion do të përzgjidhen nga mjetet e Inteligjencës Artificiale. Sigurisht do të ketë një mbikëqyrje të një personi për të gjitha këto, por në këtë radiostacion gjithçka duket se po zëvendësohet nga teknologjia, duke ndikuar kështu në punësimin e të gjithë atyre të cilët realisht janë profesionistë të fushës.
- Si mendoni, mundet Inteligjenca Artificiale të ndikojë në punësimin e njerëzve dhe në zëvendësimin e profesionistëve? Çfarë qëndrimi mbani ju për prezencën e Inteligjencës Artificiale në fusha kaq të rëndësishme siç është media?