Ashtu siç ishte parashikuar, kryeministri Rama ka folur për çështjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm Tahiri, sipas të cilit ai është i pafajshëm në historinë e përgjimeve të trafikantëve që nxjerrin emrin e tij në trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali.
Rama ka thënë se beson te pafajësia e Tahirit dhe ka pranuar se i ka dhënë gjithë mbështetjen e tij para dhe pasi u emërua ministër i Brendshëm.
“A është i pafajshëm Sajmir Tahiri? I pari që beson në pafajësinë e Sajmirit, pas nënës e babait të tij, jam unë. Me Tahirin si ministër i Brendshëm kam komunikuar disa herë në ditë. Në 8 vite punë, ai ishte njeriu i parë që erdhi në seli pas meje pas zgjedhjes sime si kryetar, – theksoi Rama, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar socialist. – Tahiri i ngjiti shkallët një e nga një dhe për meritat e tij në punë u zgjodh ministër i Brendshëm. Kam miratuar kandidaturat e tij për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nuk i ndërhyra në zgjedhjen që bënte”.
Rama i ka dalë në mbrojtje Tahirit, edhe pse pranoi se bëhet fjalë për një rast të vështirë. Ai akuzoi sërish opozitën, por edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke thënë se bëhet fjalë për një gjyq farsë të inskenuar nga amatorë inatçinj.
“Ky është një rast atipik dhe unë ndodhem në një pozitë atipike, pasi dihet Tahiri ishte ministri më i sulmuar dhe i urryer nga opozita. Nuk jam unë ai që bëj shpallje pafajësie për Sajmirin. Tahiri ishte në frontin më të vështirë, madje akuzat e ngritura nga prokuroria me vrap, do ta kishte zili edhe Ben Xhonsoni . Prandaj, unë i bashkohem haptazi dhe prerazi bindjes së Tahirit kundër një gjyqi fars, që i ngjan një farse të inskenuar nga amatorë inatçinj. E kam bërë këtë rregullisht, i jam bashkuar atij kështu edhe kur ishte ministër i Brendshëm nga llogoret e gjykatës i veshur si deputet. Akuzat e Prokuorisë janë paraqitje komike. Gjithçka që kemi parë, është një kopje surrogate e gjyqit politik që e kemi parë për 4 vjet në Parlament”.