Rama gënjen duke thënë të vërtetën sa më shumë i afrohet largimi

Nga Enton Palushi

Nuk është sekret që politikanët gënjejnë. Po sikur ata të gënjejnë duke thënë të vërtetën? Mund të duket si paradoks, por është një taktikë e dredhimit, që njihet me termin ‘paltering’ në anglisht. Kjo ndodh kur tha një të vërtetë për të fshehur një mashtrim.

Këtë praktikë e ka përdorur rëndshëm orët e fundit Edi Rama, në disa shpërthime që po paralajmërojnë gjithmonë e më shumë largimin e tij nga politika.

-Kështu, Rama u tha të vërtetën shqiptarëve se rruga e integrimit të Shqipërisë do jetë e mbushur me kushte, por mashtroi kur e përdori këtë për të maskuar dështimin me vendosjen e kushteve të forta gjermane për nisjen e vërtetë të negociatave.

-Rama u tha të vërtetën shqiptarëve se BE është në krizë, por mashtroi për pjesën tjetër, pasi Bashkimi Europian ka qenë në krizë të vazhdueshme që kur është krijuar. Madje krizën më ekzistenciale e përjetoi një dekadë më parë. Sa më e madhe kriza, aq më e fortë ndjeshmëria e vendeve anëtare ndaj zgjerimit. Doni të dini sa e fortë ishte ndjeshmëria gjatë asaj kohe? Aq e fortë sa Edi Rama në opozitë e bllokoi integrimin për një kryetar qarku në Fier. Kurse tani po flitet për korrupsion galopant, vjedhje zgjedhjesh dhe të parin narko-shtet në Europë.

-Rama tha të vërtetën se disa vende të BE janë më kundërshtare të forta të zgjerimit, por mashtroi kur i barazoi të gjitha vendet pasi dihet se disa prej tyre preken më shumë nga llumi që prodhon qeverisja e tij. Sikundër nuk tha se vendet kundërshtare janë ato me më peshë në BE.

-Rama tha të vërtetën se mund të ketë frymë raciste në ndonjë partiçkë apo ndonjë rrymë në BE, por mashtroi sepse kjo nuk i jep përgjigje pyetjes se përse Maqedonisë së Veriut nuk po i hapet asnjë pengesë në rrugën drejt BE.

-Rama tha të vërtetën se qëllimi i reformave nuk është afrimi me BE, por ndërtimi i Europës këtu tek ne, megjithatë mashtroi sepse Shqipëria që ka ndërtuar ai është vendi ku shumica dërrmuese duan t’ia mbathin natën.

-Rama tha të vërtetën se reforma në drejtësi do të pastrojë një fushë të korruptuar në vendin tonë, por nuk tha se dy foletë më të korruptuara në vend janë qeveria dhe Bashkia e Tiranës, aty ku ai këndon si ‘gjeli majë plehut’ prej dy dekadash.

-Rama tha të vërtetën se vendimi që do marrin vendet anëtare të BE është politik, por mashtron kur e sheh politikën në këtë mënyrë sepse mbi të gjitha të bësh politikë, do të thotë të kuptosh ndjeshmëritë dhe të mbash përgjegjësi. Dhe Edi Rama nuk ka ndërmend të marrë kurrë përgjegjësi në këtë vend, por do të vazhdojë të fajësojë këdo, që nga BE e deri tek ‘buburrecat’.

E kështu lista mund të vazhdojë pambarimisht. E rëndësishme është të kuptosh se këto shpërthime e kanë një shpjegim të thjeshtë: atij po i vjen fundi. Politikisht dhe moralisht ka rënë prej kohësh. Vula përfundimtare do jetë me samitin e BE. Edhe nëse i vendosen kushte Shqipërisë, edhe nëse i ndizet drita e kuqe, përfundimi është i njëjtë për të.

Duket se edhe vetë e ka kuptuar këtë, pasi ka nisur të flasë për madhështinë e tij. Përballë pasqyrës në një studio televizive, la të kuptohet se shqiptarët duhet ta kujtojnë si njeriun e fjalimeve spektakolare. Se çfarë duhet të kujtojnë shqiptarët, nuk e vendos ai. Pasi të ndjejnë lehtësimin e madh kur ta kenë hequr nga qafa, shqiptarët ndoshta do kujtohen ndonjëherë për të. Por do e kujtojnë vetëm për llafe, siç e parashikon vetë. Se punë e vepra të hajrit nuk po lë pas.

(Marrë nga gazeta MAPO)

 


më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme