Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka reaguar pas konfirmimit nga kreu i SPAK Klodian Braho se PS e ka kallëzuar pasi kërkoi të njihej me projektligjin për marrëveshjen e huasë nga SHBA. Sipas Shehajt, Rama dhe Balla nuk e kanë në kontroll strukturën e posaçme antikorrupsion.
Teksa shprehet i hapur për verifikime, Shehaj thekson se Rama dhe Balla nuk mund të pengojnë dot hetimet ndaj Belinda Ballukut dhe kryeministrit, që kanë hyrë në fazë më të thelluar sipas raporteve të SPAK. Kreu i Mundësia shprehet se do vijojë me denoncimin e aferave korruptive të qeverisë dhe se asgjë nuk e ndal nga beteja e tij opozitare.
“Edi Rama dhe Taulant Balla donin të më arrestonin. I kërkuan SPAK-ut arrestimin tim por harruan që SPAK-u nuk është në kontroll të Edi Ramës. Dhe pasi nuk e arritën qëllimin, Edi Rama dërgoi Taulant Ballën të bënte një kallëzim të rremë në SPAK. Shumë mirë. Më në fund SPAK-u mund të verifikojë sesi unë kërkova të drejtat e mia në parlament, sesi unë luftova për transparencë. Ndërkohë SPAK-u sot ka deklaruar se hetimet kundër Belinda Ballukut janë thelluar.
Plot 9 oficerë dhe 3 prokurorë po hetojnë aferat gjigante korruptive të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut”- thekson Shehaj.
Sipas Shehajt kjo verë do jetë “përvëluese për të korruptuarit”.
Plot 9 oficerë dhe 3 prokurorë po hetojnë aferat gjigante korruptive të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut. Po ju në media nuk keni për të parë këtë lajm. Ju do të shikoni lajmin tjetër
Që SPAK-u gjoja do verifikojë dhe do hetojë mua.
Por kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është të dini, të dashur mbështetës që unë nuk jam fare i shqetësuar nga sulmet, nga balta, nga shpifjet, fare.
Jam i bindur që po bëj dhe po bëjmë gjënë e duhur. Po luftojmë të keqen në Shqipëri. Po luftojmë ata që u kanë nxirë jetën qytetarëve shqiptarë në 35 vjet dhe nuk duhet të dorëzohemi.
Do vazhdojmë, këtu na kanë deri sa t’i largojmë!
The post “Rama kërkoi arrestimin tim, por harroi që SPAK-un nuk e kontrollon”, paralajmëron Shehaj: Verë përvëluese i pret të korruptuarit! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



