Kohët e fundit ambasadorja e SHBA Yuri Kim dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman, në mënyrë sistematike kanë paralajmëruar krerët e partive politike që të mos kandidojnë në zgjedhjet e 25 prillit individë me lidhje apo indicie si të përfshirë në krimin e organizuar dhe korrupsion.
Por pavarësisht nga kjo kryeministri Rama ka një mendim tjetër. Sipas tij partitë dhe kryetarët nuk janë drejtori policie që të merren me këtë vetting dhe se çdo kandidat mban përgjegjësi individuale.
“Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetë-deklarim është përgjegjësi individuale jo partie. Partitë nuk janë drejtori policie, verifikojnë në bazë të ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë. S`kemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive nëse dikush fsheh diçka. Ne shohim dokumentacionin në dispozicion”, theksoi kryeministri Rama duke hedhur kështu poshtë gjithë thirrjet dhe aktivitetin e fundit të ambasadores Kim.
© SYRI.net