Ilir Meta ka lënë të kuptohet se është gati të bëjë gjithçka, pra dhe sakrificën e tij personale, për të mbrojtur siç thotë ai, Republikën dhe Kushtetutën. Dukshëm, kjo s’ka të bëjë thjesht me Drejtësinë, por shkon përtej saj. Premisat janë që Rama dhe Meta të jenë duke konsumuar duelin final, nga ku njëri do arrijë të mbijetojë politikisht.
“Unë jam ushtari i parë në mbrojtje të Kushtetutës dhe Republikës”. Me këtë shprehje të shoqëruar me një përshëndetje ushtarake, Ilir Meta, president dhe, gjithashtu, komandant i Forcave të Armatosura, ka deklaruar pa ekuivok pozicionimin e tij në konfliktin politik me mazhorancën socialiste. Meta ka lënë të kuptohet se është gati të bëjë gjithçka, pra dhe sakrificën e tij personale, për të mbrojtur siç thotë ai, Republikën dhe Kushtetutën.
Meta ka kaluar një javë intensive në zyrën e tij, ku janë numëruar deri në 25 takime në ditë, që nga ish-presidentët Berisha, Mejdani, Nishani e Topi dhe më tej me juristë, ekspertë, gazetarë, pedagogë e personalitete të tjera. Këto takime, sipas burimeve pranë tij, janë faza e parë e përgatitjes për t’iu drejtuar më tej drejtpërdrejt, qytetarëve.
Një tur i mirëfilltë politik do ta zbresë Metën në bazë me qytetarët, bëjnë me dije për MAPO, burime pranë tij. Çka do ta çonte betejën politike me mazhorancën në një stad tjetër. Ai e paralajmëroi dje këtë në përvjetorin e referendumit kushtetues duke shkruar se është “koha për referendum të ri” .