Rama në diasporë “kërkon” kokrriza sheqeri në borë!?

NGA XHEVAT MUSTAFA


Nga dita e diel, 12 maj 2024, në kulmin e ikut të lëmshit të krizave në Shqipëri, kryeministri Edi Rama nisi një turne propagandistik apo “turistik” nëpër komunitetet a bashkësitë shqiptare në disa vende, cilësuar në mënyrë pompoze me sloganin “pranvera në diasporë”. Në mënyrë figurative, referuar masivizimit të ndërgjegjësimit dhe shqetësimit në diasporë për gjendjen në përkeqësim të vazhdueshëm ekonomik, politik, juridik, social e me rritjen e pafre të nivelit të korrupsionit në tre nivelet e “piramidës” qeverisëse, kjo mund të krahasohet sikur ai të mendojë se mund të kërkojë dhe gjejë grimca sheqeri apo “mielli” nëpër një fushë të paanë mbuluar me shtresa të mëdha me borë, të hershme apo fare të freskët.

Pas një pikëpyetjeje disaditëshe për t’ia miratuar hyrjen në Greqi, për shkak të lojës diplomatike e protokollare të qeverisë greke, më së shumti për çështjen “Beleri” se sa për frikë të ndonjë “rreziku” për jetën e tij, kryeministri e filloi ekskursionin e ri në diasporë me Greqinë fqinje, ku dihet se i ka më me shumicë enveristo-edramistët apo “majtistët” e moçëm e më të rinj. Por, edhe me llogarinë se nga “pritja madhështore” prej këtij kontingjenti në shtetin helen si dhe prej atyre të marrë me autobusë dhe dieta të majme nga fshatrat kufitarë në Kapshticë, Kakavijë, Tri Urat, Qafë Botë, mund të marrë më shumë duartrokitje, përqafime, urime, ngushëllime… pas shqetësimeve të shumtë nga përjetimi i një bumi skandalesh dhe hallesh, sidomos nga “fantazma” dhe dosja McGonigal, nga raporti i ri i DASH, nga emisioni investigativ i RAI 3 dhe sherret pas tij.

Vizitën dhe takimet në Greqi ia parapërgatitën të dërguarit apo “komisarët” e posaçëm Blendi Klosi dhe Endri Fuga! Kështu që Edi Rama shkoi sa për të mbajtur një “fjalim programatike” dhe lëshuar mburrje e premtime për “rekorde e bume”, që për t’ua parë hajrin është ngjashëm sikur të shikohen kope balenash dhe peshkaqenësh në Lanë a në një rezervuar pranë Surrelit…!

Në stadiumin “Galatsi”, ku sipas pamjeve nga mediat u zhvillua më shumë një miting partiak se sa bashkëbisedim qytetar, Rama ka menduar të bëjë Odiseun e Homerit, së pari, me kryeministrin grek, Mitsotakis, duke e siguruar se vjen në Athinë, si mik e si “pëllumb i paqes” si dhe duke “i harruar” disa nga dosjet “e pluhurosura” e ato fare të freskëta. E para duhej të ishte kërkesa më me ton të lartë për heqjen e “Ligjit të luftës” nga Greqia dhe e dyta, për mos zvarritjen për në kalendat greke të problemeve integruese, sociale, ligjore, të rreth gjysmë milioni emigrantësh shqiptarë në Greqi, për të gëzuar të gjitha të drejtat që u takojnë, sipas Kushtetutës greke!? Rama i kërkoi dhe premtoi Mitsotakisit edhe “harrimin” e “të burgosurit të tij”, Fredi Beleri!

Gjithashtu, kryeministri Rama ka paramenduar të bëjë Odiseun homerian edhe me shqiptarët në stadium e që e kanë ndjekur nëpër ekrane. Merret me mend se ai është sforcuar për të sajuar premtimet, me të cilat mund t’u mbushë mendjen se ka ardhur jo si kryetar e kryeministër i PS-së, i “së majtës” dhe oligarkisë shqiptare”, por i të gjithë shqiptarëve, pa pikë firo në tifozllëkun, mbështetjen dhe votat partiake e për atë individualisht. Por, edhe për t’i bindur militantët dhe fanatikët enveristoedramistë se ai i ka në duar dhe xhepa të gjitha pushtetet dhe “thesaret”, që do t’i “sigurojnë” pa nevojën e dhjetëra milionave eurove për shit-blerje votash dhe komisionerësh të partive të opozitës “fitoren e mandatit të katërt”, të pastër si ujët e Lanës…!?

Njëkohësisht, për demagogji, Edi Ramës i është dashur të investojë shumë energji shumëformëshe për t’u mbushur mendjen atyre që i besojnë akoma se ai ka ardhur në këtë mitin në Athinë edhe si kryeministër i atyre afro 1 milionëve, që mbijetojnë me pensione dhe paga në rreth 100-250 euro në muaj, kur shumica e çmimeve, nga buka deri tek picat nëpër supermarkete, nga uji deri te lëngjet me esenca frutash e mjalti; nga qumështi deri te djathërat e gjalpi; nga mishi i pulave deri tek mishi i gri i viçit apo derrit, nga birra deri tek verërat; nga çokolatat deri tek akulloret me kutia 1 kg, janë 25- 50-100% më të shtrenjta se në Greqi e Gjermani!?

Për objektivitet dhe për të mos ia ngrënë hakën, fjalimi i kryeministrit në Athinë, sidomos për disa kujtesa historike ndaj qeverisë helene, meriton notë të lartë si “hartim” dhe sytë nga Zoti në qiell, që ta ndihmojë për zbatim të atyre që kërkoi SHQIP, e mos paçin qenë thjeshtë në edramisht. Nëse stadiumi “Galatsi” do të ishte i mbushur me shqiptarë, qytetarë, popull me nivel të lartë emancipimi politik dhe demokratik perëndimor dhe kryeministri do të bënte bashkëbisedim vëllazëror e jo më së shumti “monolog” apo “dialogë me regji dhe censurë” nga “komisarët”, nuk mund të përjashtohej kategorikisht, që mes emigrantëve në Greqi mund të kishte nga ata që ta bombardonin me pyetje e kritika. Ndonjëri mund t’i kujtonte të vërtetën se njerëz nga partia e tij, në po ato zgjedhje allashqiptare, për “fitoren e saj të pistë”, kanë blerë dhe vjedhur vota rreth 1000- 2000 fish më shumë se sa njerëzit e ekipit elektoral të Belerit.

Ndërsa ndonjë emigrant demokrat, edhe pse i ndjerë në takimin me Edi Ramën si mish i huaj dhe nën breshër kërcënimesh brenda e jashtë sallës, mund “t’i kujtojë” se ndërsa mburret sa ngjiret për “Shqipëri evropiane”, “reformë në drejtësi” dhe “drejtësi të pavarur”, prej rreth 5 muajsh mban në arrest shtëpie liderin e PD-së e të opozitës, Sali Berisha, shpallur ‘non grata’ më shumë nga njerëzit e Xhorxh Soros në DASH dhe me qindra apo miliona dollarët “dhuruar” Charles McGonigalit, mikut të tij e të miqve të tij Agron Neza dhe Dorian Duçka…?

Në takimin në Londër, ndonjë emigrant shqiptar, që ka vuajt si Odiseu i lashtësisë për të arrit në Angli, me plot të drejtë mund t’i vërsulet: ti vjen sot tek ne për mbështetje e vota, por nuk e ke vrarë trurin se sa qindra bij e bija nënash shqiptare janë mbytur në dete për të zbritur në brigjet britanike?! As sa janë burgjeve ose me vite në të zezë, sepse qeverisja jote ua nxiu jetën dhe Shqipërinë?! Analiza më e thellë e nxjerr Edi Ramën ‘lakuriq’ para shumicës së shqiptarëve nëpër diasporë! Përse mund t’u raportojë dhe mburret atyre? Që ua ka bërë atdheun Kolumbi dhe Ekuador…? Që, duke futur nëpër xhepat e tij pozitën dhe opozitën, drejtësinë dhe shumicën e mediave, pasuri sheikore, është bërë si Enver i dytë? Disa prej emigrantëve mund të mos e përmbajnë veten dhe t’ia thonë SHQIP: si ke kurajë të vish për të na takuar dhe përrallisur, kur prej 10 vitesh na ke mohuar të drejtën e votës, na ka sorollatur dhe shpenzuar së tepërmi me vite për të marrë ligjërisht atë copë prone që na kanë lënë gjyshërit dhe prindërit e kur për një jetë punë u ke dhënë atyre rreth 150 euro pension…?

Ndërsa emigrantët shqiptarë nga Kosova mund ta vënë me shpatulla në karrige apo “në mur”, duke i kujtuar stërkëmbësit e thikat pas shpine ndaj Kosovës me “Ballkanin e hapur”, me raportet jo dashamirës e më së shumti armiqësorë ndaj kryeministrit Albin Kurti, me raste më të freskët qëndrimet e akullta për masat ndëshkuese nga SHBA dhe BE ndaj Kosovës e për pranimin e Kosovës në KiE!? Nga emigrantët shqiptarë dhe demokratë perëndimorë nga Shqipëria, pasi të fillojnë të ndjejnë ngopje dhe velje, deri afër në vjellje nga “bumet” dhe “rekordet”, më së tepërmi sajime të fantazisë së Edi Ramës, mund të ketë njerëz kurajozë dhe të mendjes e të gojës, që t’i injektojnë një dozë të fortë nervozizmi, duke ia thënë sy më sy disa të vërteta lakuriqe. Përse nuk ndjen faje e përgjegjësi për gjithçka ka ndodhur dhe ka përjetuar shumica e popullit në këta afro 11 vjet të tua në pushtet, sikur të ishe sulltan, perandor, mbret…?!

“Ti mburresh ngjashëm si Enveri se nën udhëheqjen tënde Shqipëria ka marshuar përpara, por në të vërtetë, nga standardet dhe veprat, edhe sipas anketimeve nga institucione prestigjioze ndërkombëtare, Shqipëria ka zbritur disa vende më poshtë e nga të fundit fare, në krahasim me 2013! Ky fakt shprehet sidomos nga nivelet e larta të papunësisë, varfërisë, emigracionit, kriminalitetit, trafikut të drogave, pastrimit të parave të pista, edhe për klanin Ndragheta, të prostitucionit si dhe nga treguesit e ulët të demokracisë, shtetit ligjor, pavarësisë së drejtësisë e të mediave…1? Për më keq: Shqipëria e sotme është bërë shtet me dy qeveri: një në burg e një tjetër në liri, në kryeministri, nëpër ministri, nëpër drejtorira e bashkira…? Dikush nga emigrantët mund t’ia përplasë në fytyrë kryeministrit Edi Rama se RTSH dhe shumica e televizioneve publike, “të pavarura” janë bërë si “Rama-Veliaj TV” apo “TVpartitë”, ku në një emision lajmesh 25- 30 minuta del 5 herë nga 2 minuta Edi Rama, 3 herë Erion Veliaj, nga dy herë Linda Balluku, Taulant Balla si dhe Berisha, Basha, Meta…!?

Mund të ketë emigrantë shqiptarë, që i shikojnë të vërtetat e realitetit shqiptar të sotëm me sytë e veta të ballit e të mendjes që t’i kujtojnë se pas një zinxhiri të gjatë skandalesh dhe dështimesh liderët dhe pushtetarët me të vërtetë demokratë, të emancipuar, të përgjegjshëm në vendet Perëndimore ku jetojnë e punojnë… nuk e vlerësojnë si fund personal e të botës aktin e thjeshtë e të lehtë të dorëheqjes…! Për më tepër: shumë kohë më përpara se të gremisen së bashku me dosje voluminoze abuzimesh dhe korrupsioni në zyrat e prokurorisë e në qelitë e burgjeve! Duke e përmbyllur, në mënyrë figurative dhe pa e ekzagjeruar, referuar takimit të 12 majit në Athinë, mund të thuhet se me takimet e “Pranverës në Diasporë” kryeministri Rama do të rrahë me penela piktori “ujë Lane” në havan apo në kazan plehrash inceneratori…!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme