E enjte, 27 Tetor 2016 – Sakte.net
Debati për dekorimin e 67 anëtarëve të Ballit Kombëtar nga presidenti Nishani është zhvendosur në sallën e Kuvendit, mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Kryeministri tha se është me partizanin dhe jo Ballin Kombëtar,duke i akuzuar demokratët si pasaardhës të këtyre të fundit.
“E para e punës unë jam me partizanin, jo Ballin Kombëtar. Kjo nuk është sekret dhe asnjë arsye për të ardhur këtu në emër të Ballit Kombëtar e të bësh idhtarin. Këtu mund të numëroni vetëm sa pula keni shqyer kur keni qënë në qeveri dhe e keni trajtuar shtetin si pulë që e keni shyqer nga të gjitha anët. Jeni pasardhës të rengatëve dhe tradhtarëve të Ballit Kombëtar. Keni të drejtë ti dekoroni, sepse jeni njësoj si ata. E dyta kur shkoni te Varrezat e Dëshmorëve dhe përuleni atje se s’keni rrugë tjetër, te partizani shkoni përuleni dhe atje do shkoni”, tha Rama.
Në replikë ndaj tij, kreu i grupit parlamentar Edi Paloka tha se është djalë partizani dhe se është krenar për ato që kanë bërë prindërit e tyre.
“Sa për atë pjesë ballist partizan, im atë ka qënë partizan. Dhe Mehmet Shehu vet për aktin që kreu kërkoi ndjesë e quajti gabim. Ky zotëria na thotë që ne quhemi pasaardhës, sigurisht ti je rritur nën hijen e atyre monumenteve po nuk është mburrje. Mburresh me aktet e tët eti po nuk është mburrje. Ne do vazhdojmë të jemi krenar për ato që kanë bërë baballarët tanë dhe ato që bëjmë vetë”, tha Paloka.
/ Top Channel