Rama poston pamje nga mbledhja në Pogradec, komentuesit e “kryqëzojnë”: Tani u kujtove për njerëzit? Shkoni te hallexhinjtë, jo në resorte!

Edi Rama e ka shitur mbledhjen dyditore të socialistëve në Pogradec si një moment reflektimi dhe “energji të reja” për qeverisjen. Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri shkruan se “rritja cilësore e ndërveprimeve me njerëzit” do të jetë domethënëse pas kësaj maratone politike.

Por komentet poshtë postimit i tregojnë një tjetër panoramë. Shumë prej ndjekësve e akuzojnë për shkëputje nga realiteti i përditshëm i shqiptarëve.

“Mirë bëni me këto mbledhje, por mos i bëni në resorte turistike. Shkoni në shtëpitë e malsorëve të varfër, shkoni në shtëpitë e myzeqarëve zemërmirë, shkoni në fshatrat e braktisura, shkoni në shkollat e mbetura pa fëmijë”, shkruan një komentues. “Atje duhet të rinisë jeta, të lindë shpresa për ditë më të mira”, shton ai.

Një tjetër i kujton kryeministrit se bëhet fjalë për mandatin e tretë në qeverisje: “Je në mandatin e tretë. Tani u kujtove ti pas 15 vitesh për ndërveprimet me njerëzit?”

Kritikat shkojnë edhe te gjendja e infrastrukturës. “Nga Tushemishti a dole njëherë? Ta shikoje atë rrugën që hodhët miliarda lekë e se mbaruat kurrë”, shkruan një qytetar, duke shtuar se rrugët në shumë fshatra “janë si në mesjetë”.

Edhe shëndetësia nuk i shpëton kritikave. “Kur fole për shëndetësinë pse nuk more shembull maternitetin e Pogradecit? I bukur shumë është, tamam si filmat horror”, shkruan një tjetër.

Ndërkohë, emigracioni dhe largimi i shqiptarëve nga vendi janë shqetësim i përsëritur në komentet e qytetarëve: “Çfarë do bëni për emigracionin që po zhduk shqiptarët nga trojet e tyre apo këtë plan keni?”

Komentet më të ashpra lidhen me mënyrën e qeverisjes dhe stafin e kryeministrit. “Çfarë stafi??? Të lumtë ku i ke gjetur? Sidomos Ballukun! I ke gjetur me inteligjencën artificiale apo me inteligjencën tënde?”, shkruan një komentues, ndërsa një tjetër i drejtohet Ramës: “Hiq dorë nga shteti… tani u kujtove pas 15 vitesh? Ke marrë fund!”

Ndërsa Rama flet për “Besën” dhe një “sezon politik me energji të reja”, një komentues ia kthen: “Mbajeni pra atë besë… se këto 15 vjet nuk latë fis, miq pa filluar e rregulluar, e punësuar… punoni veç njëherë për hallexhinjtë dhe vendorët e ndershëm.”

Ka edhe nga ata që e pyesin kryeministrin për çështje konkrete të ekonomisë. “Naftën do e ulësh?”, shkruan një qytetar.

Në një tjetër koment, ironia është edhe më e drejtpërdrejtë: “Paska nxjerrë sulltani fuqishëm grupin e patronazhistëve sot për këtë postim”.

Mesazhi i komentuesve është i qartë: Pas 3 mandatesh në qeverisje, është vonë për ndërveprim me njerëzit. Por nëse qeveria kërkon të dijë realisht se çfarë mendojnë shqiptarët, duhet të dalë nga resortet dhe sallat e mbledhjeve dhe të shkojë aty ku janë hallet e tyre.

222-524x350 333-1-532x350 444-1-530x350 555-1-536x350 777-511x350 666-531x350
<
>

The post Rama poston pamje nga mbledhja në Pogradec, komentuesit e “kryqëzojnë”: Tani u kujtove për njerëzit? Shkoni te hallexhinjtë, jo në resorte! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme