Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka propozuar idenë për treg unik në Ballkanin Perëndimor, e të cilin Kosova përmes kryeministrit Isa Mustafa e ka kundërshtuar me çdo kusht.
Rama e ka quajtur madje projekt strategjik e ambicioz, i cili ka hyrë në rrugën e planifikimit konkret.
“Sot në punimet e Samitit të Sarajevës, me Komisionerin Hahn dhe kryeministrat e Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi e Serbisë për tregun e përbashkët rajonal; një projekt strategjik ambicioz i propozuar nga Shqipëria, që tanimë ka hyrë në rrugën e planifikimit konkret”, ka shkruar Rama në Facebook përcjell Koha.net.
Një version më i butë i idesë së kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për union doganor është vlerësuar edhe ideja për treg të përbashkët që e ka kundërshtuar pala kosovare. Ani pse Mustafa në Sarajevë tha se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për agjendën e bashkëpunimit rajonal.
“Jemi të interesuar të lehtësojmë bashkëpunimin tonë ekonomik dhe tregtar, të eliminojnë, të thjeshtëzojmë procedurat burokratike dhe të gjejmë rrugët më të përshtatshme për t’u integruar në tregun unik evropian. Synimi i Kosovës është të jetë pjesë e tregut evropian, ndërkaq me vendet e Ballkanit Perëndimor të lehtësoj dhe përparoj bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, qoftë ai unik Evropian, apo një treg i Ballkanit Perëndimor nuk mund të funksionojë pa lëvizjen e lirë dhe për Kosovën pa liberalizim të vizave”, tha ndër të tjera kryeministri, duke folur edhe për të arriturat e Kosovës dhe statistikat e tregtisë të cilat konfirmojnë bashkëpunimin rajonal.
Pala kosovare beson se edhe tregu unik, i cili ka marrë përkrahje nga shumica e vendeve të Ballkanit do ta dëmtonte tregun në Kosovë si dhe do të ngadalësonte ndjeshëm procesin e integrimit evropian.
© KOHA.