Rama tallet me maturantët

Sakte.net / e Hënë 26 Shtator 2016 / 09:32

Myqerem Tafaj – Rama tallet me maturantët: Prisni se ka kohë për të filluar shkollën! Për kaosin që ka shkatuar vetë qeveria e tij, Rama fajëson opozitën dhe median.

Edhe pse vetëm 23% e maturantëve janë shpallur fitues deri tani, 25 shtator, Rama u thotë maturantëve se ai është shumë i kënaqur që gjoja ekselentët qenkan shpallur fitues! Kjo është tallje dhe arrogancë e pastër. Ai nuk u jep përgjigje maturantëve me nota mbi 9 që nuk kanë fituar në asnjë degë! Rama nuk u thotë maturantëve, cfarë fshihet prapa kësaj marrëzie të padëgjuar ndonjëherë, të shpallësh një maturant, qoftë edhe i shkëlqyer, fitues në disa degë, kur ai/ajo do regjistrohet vetëm në një degë, dhe të lësh maturantët e tjerë për javë të tëra në pasiguri të plotë?
Rama duhet të thotë, kujt i intereson kjo pasiguri e maturantëve për një periudhë, e cila, me gjasë, do të zgjasë 2-3 muaj, deri në nëntor ose dhjetor. Kjo është transparencë?! Kjo është merita e Ramës, kur maturantë me nota më të ulta fitojnë më përpara se ata me nota më të larta?! E sigurtë është që në fund, qeveria e ndodhur përpara dështimit të plotë më këtë formulë të anti-meritës, do t’ju thotë universiteteve publike, që ti pranojnë vetë kandidatët për vendet e mbetura.

Kjo gjoja-formulë e re e pranimeve në universitete, është dështim total i kësaj qeverie. Ajo nuk respekton as meritën, as preferencën, nuk është aspak transparente dhe ka shkaktuar një pasiguri të qëllimshme tek maturantët. E thënë thjesht: kjo është, më së paku, arrogancë dhe papërgjegjshmëri totale e qeverisë në raport me maturantët. Ky kaos dhe kjo mungesë totale e transparencës, krijon parakushtet ideale për korrupsion dhe abuzim në pranimet në universitete.

Kryeministri dhe ministrja e Arsimit duhet t’u kërkonin falje maturantëve për këtë kaos të qëllimshëm, dhe jo të vazhdojnë akoma t’i tallin dhe t’i mashtrojnë cdo ditë ata.

A keni dëgjuar ndonjë Kryeministër të ndonjë vendi tjetër që të fajësoj për dështimet e qeverisë së tij, opozitën dhe median? Këtë e bën vetëm Rama.