Sot në Gjykatën Themelore të Gjilanit do të nis gjykimi I ish-kryetarit të Prizrenit Ramadan Mujës, dhe ish-zyrtarëve tjerë të kësaj komune të akuzuar bashkë me të për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.
Zhvendosjen e gjykimit të Mujës dhe të tjerëve nga Gjykata Themelore në Prizren në ndonjë gjykatë tjetër e kishte kërkuar më 8 gusht të këtij viti kryetari i kësaj gjykate Ymer Hoxha, me arsyetimin se njëra nga veprat penale me të cilat ngarkohej Muja lidhej me kallëzimin penal të Gjykatës në Prizren.
Pastaj Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren, është jokompetente për ta gjykuar këtë çështje, andaj vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të tjerëve.
Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.
Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.
Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.
Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.
Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.
Rasti Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit.
Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthej në rigjykim.
Gjatë ditës së djeshme Ramadan Muja i dorëzoi detyrën e kryetarit të komunës tanimë kryetarit të ri të Prizrenit Mytaher Haskukës./Kallxo.com