Ramadani: Hovi i Rusisë në Maqedoni do të ndalet me votën kundër BDI

Analisti dhe publicisti Rramadan Ramadani ka reaguar pas fitoreve të kandidatëve pro-rusë në zgedhjet presidenciale në Moldavi dhe Bullgari. Këto fitore kanë shtuar frikën nga shtrirja e ndikimit rus në Ballkan. Mirëpo Ramadani vlerëson se shqiptarët e Maqedonisë kanë një mundësi të shkëlquyeshme të mbrojnë Ballkanin nga shtrirja e ndikimit prorus. Sipas tij, mjafton që shqiptarët të votojnë kundër BDI-së.

“Kandidatët pro rusë fitojnë ne Moldavi dhe Bullgari, duhet ndalur hovin Rusise ne Maqedoni duke ia mundur keq BDI-në”, vlerëson Ramadani.

Ndryshe në Bullgari e Moldavi, presidentë u zgjodhën kandidatët që kërkojnë përmirësimin e marrdhënieve me Rusinë.

I tillë është Rumen Radev, kandidati i mbështetur nga socialistët në opozitë, që triumfoi me 59 % në raundin e balotazhit për presidencialet bullgare. 53-vjeçari mori 23% më shumë se rivalja e tij Cecka Casheva e mbështetur nga të djathtët në pushtet të kryeministrit pro-perëndimor Bojko Borisov, i cili pas humbjes dha dorëheqjen. Presidenti i ri Radov kërkon dhënien fund të sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë, të vendosura pas tensioneve për Ukrainën. Ai kërkon që roli i Bullgarisë në Bashkim Europian dhe NATO të jetë më i balancuar, ndërsa synon të mbajë një marrëdhënie me përfitime reciproke me Rusinë. Presidencën 5-vjeçare të vendit, ai do ta marrë zyrtarisht më 22 Janar.

E njejta situatë edhe në Moldavi ku kandidati pro-rus Idor Dodon triumfoi në raundin e dytë të presidencialeve me 55% kundrejt rivales pro-europiane Maia Sandu, që mori 10% më pak. Në ish-republikën sovjetike, besimi i popullit tek udhëheqësit pro-europianë ka rënë ndjeshëm, pasi ata shihen si shkaktarë të gjendjes aspak të mirë ekonomike të vendit, i konsideruar si më i varfëri në Europë. Entuziazmi europian në Moldavi është venitur pas nënshkrimit nga qeveria të marrëveshjes së stabilizim asocimit me unionin. Marrëveshja dëmtoi marrdhëniet me Moskën, që si kundërpërgjigje kufizoi importet e produkteve bujqësore nga Moldavia, duke rënduar edhe më tej gjëndjen ekonomike të fermerëve. Për Moldavinë, Rusia është prej dekadash një prej partnerëve tregtarë kryesorë.

Bullgaria dhe Moldavia i shtohen listës së vendeve të Europës Lindore me presidentë të influencuar nga Moska, ku bëjnë pjesë Çekia, Sllovakia, Hungaria e Serbia.