Votimi i demarkacionit me Malin e Zi shkaktoi një përplasje në mes të deputetit të Vetëvendosjes Rexhep Selimi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.
Ka mjaftuar përmendja e këtij fakti nga Selimi ka nervozuar keq të parin e ekzekutivit. Ai e ka quajtur gënjeshtar Selimin si dhe ia ka përmendur faktin se me gjithë aktivitetin e tij për liri dhe pas luftës në politikë asnjëherë nuk e ka gjetur asgjë.
Ky debat i ashpër mes Selimit dhe Haradinajt u bë gjatë debatit për shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin e Autostradës Kijevë-Zahaq.
“Është evidente që pas miratimit të marrëveshjes pardjeshme, rruga për në Mali të Zi është shkurtuar më shumë, madje është shkurtuar për disa kilometra. Dua ta konfirmoj edhe një herë që unë nuk iu kam gëzuar kësaj, nëse dikush iu ka gëzuar kësaj janë ata që atë ditë në këtë sallë, pas ratifikimit duartrokitën dhe u përqafen me njëri-tjetrin, kurse, sa i përket asaj që t’i nxjerrim rrugët, rrugët që na u janë marrë i nxjerrim por rrugët që i kemi dhënë vet kurrë më nuk do të mund ti nxjerrim “, tha Selimi.
Pas kësaj deklarate reagoi kryeministri i Kosovës duke akuzuar rëndë Rexhep Selimin.
Gjatë fjalës së tij ka ndërhyrë edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, duke e lutur Haradinajn që të ketë kujdes me fjalorin, pasi po e prishin, të gjithë, duke filluar nga vet ai.
“Ka diçka shumë interesant që dua t’ua them, Rexha është shumë i mençur. Prek që ia ka nis lëvizjes për liri, është aktiv po therrë nuk i ka hy, njëmend nuk i ka hy therrë Rexhep Selimit, ka shpëtuar vet, edhe pas luftës ka shpëtuar mirë, nuk e ka bërë asnjë ditë burg, asnjë problem nuk i ka ndodhë…por prit veç pak, ti po thua që për pak ditë pushtet e kam shit tokën, ti je rrenc i madh, ti ke qëndruar në Shqipëri je shëtit para luftës, gjatë luftës dhe pasluftës, gjithë kohës, e din që nuk është ashtu, je ulë afër këtij burri për vota, ky ka me pa që ke me lanë këtë shpejt,”, i tha Haradinaj Selimit. /KosovaPress/