Raporti vjetor i Platformës së Këshillit të Europës për të Promovuar dhe Mbrojtur Gazetarinë dhe Sigurinë e Gazetarëve (2020), ka nxirë qeverinë shqiptare në lidhje me sjelljen ndaj medias.
Në raportin e publikuar theksohen të gjitha rastet, kur qeveria e Edi Ramës ka urdhëruar mbyllje emisionesh dhe mediash online, të cilat kanë qenë kritike ndaj tij.
Pjesë nga raporti për Shqipërinë:
Liritë në median online
Alarmet e dhëna në vitin 2019 përShqipërinë, Turqinë dhe Ukrainën, nxorën në pah vendimet gjyqësore ose rregullatore që bllokojnë aksesin në faqet e internetit që përmbajnë lajme dhe informacione. Në korrik, një gjykatës në Turqi bllokoi aksesin në 136 faqe interneti, përfshirë portalet e lajmeve, si dhe dhjetëra llogari të mediave sociale.
Më 1 dhjetor, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama urdhëroi Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare të bllokojë portalet e lajmeve në internet me justifikimin e shpërndarjes së’lajmeve të rreme’, që shkaktuan panik pas tërmetit shkatërrimtar.
Probleme të ngjashme u raportuan në shumë shtete anëtare: Gazetarët gjithashtu u kërcënuan, sulmuan ose arrestuan gjatë demonstratave në Katalonja (Spanjë); në Turqi gjatë protestave kundër operacioneve ushtarake në Siri dhe kundër shkarkimit të kryebashkiakëve të zgjedhur në qytete të juglindjes së vendit; gjatë protestave kundër korrupsionit dhe politikave publike në Shqipëri dhe Azerbajxhan, dhe në vazhdën e zgjedhjeve lokale në Federatën Ruse.
Në Shqipëri,gazetarja britanike Alice Taylor ishte subjekt i një fushate sulmesh e shpifjesh në internet, pasi foli për ‘Russia Today’ lidhur me protestat në vend.
Alarmet e reja në vitin 2019 që sinjalizuan përkeqësimin e kushteve të punës së gazetarëve në Shqipëri.
Në fund të dhjetorit 2019 kishte 11 alarme aktive për Shqipërinë, me 7 raste të reja të paraqitura në Platformë në vitin 2019, krahasuar me vetëm 1 në vitin 2018. Kjo rritje e dukshme sinjalizon një përkeqësim të kushteve të punës së gazetarëve në vend.
Katër alarme kishin në fokus ngacmimin dhe frikësimin e gazetarëve, përfshirë dhunën fizike. Një gazetare britanike, Alice Taylor, e cila punon për portalin në internet Exit.al, ishte shënjestra e një fushate shpifjesh pas deklaratës që ajo dha për ‘Russia Today’. Portalet lokale publikuan foto ku akuzonin gazetaren se kishte lidhje dhe ishte e paguar nga Rusia, teksa pretendohej se portali i saj ishte i lidhur me një parti opozitare.
Më 13 prill 2019, disa gazetarë u lënduan kur policia shqiptare hodhi gaz lotsjellës drejt turmës së njerëzve gjatë një demonstrate në Tiranë. Një reporter thuajse humbi ndjenjat nga gazi lotsjellës dhe ishte i paaftë për të bërë punën e tij. Një tjetër u godit në kokë me një shkop metalik. Dyshohej se personi që e goditi ishte oficer policie. Autoritetet shqiptare iu përgjigjën alarmit në qershor, duke thënë se në asnjë rast policia nuk kishte ushtruar dhunë ndaj gazetarëve apo kameramanëve.
Më 29 qershor 2019, gazetari dhe kameramani Enver Doçi i televizionit ‘Neës 24’ u sulmua nga oficerët e policisë, ndërsa po filmonte arrestimin e demonstruesve në Dibër. Raportohet se policia e goditi dhunshëm në këmbë dhe në njërin krah. Policia e Shtetit iu përgjigj alarmit, duke thënë se i vinte keq për ‘veprimin e pakujdesshëm të kryer nga një oficer i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, duke shtyrë gazetarin Enver Doçi, teksa ai ishte duke filmuar operacionin policor’.
Televizioni ‘Neës 24’ njoftoi mbylljen e dy emisioneve: ‘Të Paekspozuarit’ të Ylli Rakipit dhe ‘Krasta/A Shoë’ të Adi Krastës. Të dyja emisionet ishin kritike ndaj Kryeministrit Edi Rama. Gazetari Adi Krasta e kishte ndërprerë punën me emisionin e tij, pas raportimeve se presidenti i ‘Neës 24’, Irfan Hysenbelliu, ishte ‘kërcënuar’ nga Kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Më 19 korrik 2019, gazetari Artur Çani zbuloi se Kryeministri kishte takuar pronarin e ‘Neës 24’ për të kërkuar shkarkimin e gazetarit Ylli Rakipi nga detyra në këtë televizion, duke e paralajmëruar se edhe Adi Krasta kishte të ngjarë të humbiste punën e tij.
Këshilli Shqiptar i Mediave, një OJQ që përbëhet nga gazetarë dhe profesionistë të mediave, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se shfrytëzoi situatën pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 për të mbyllur ose bllokuar mediat kritike në internet. Më 30 nëntor 2019, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare bllokoi portalin e lajmeve ‘joqalbania.com’.
Një tjetër çështje madhore në Shqipëri ishte edhe një seri ndryshimesh ligjore në ligjet nr. 9918 ‘Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë’ dhe nr. 97/2013 ‘Për median audio-vizuale në Republikën e Shqipërisë’, që do t’u jepnin më shumë fuqi autoriteteve shtetërore për të rregulluar përmbajtjen e publikuar nga media online.
Ky legjislacion u prezantua si paketa ‘anti-shpifje’ dhe u miratua nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë më 3 korrik 2019. Në dhjetor 2019, Parlamenti shqiptar miratoi këto ndryshime ligjore me shumicë të madhe votash. Organizatat për lirinë e mediave paralajmëruan se paketa ligjore do të zëvendësojë vetë-rregullimin aktual të mediave online me rregullore të përcaktuara nga autoritetet shtetërore, duke refuzuar ndryshimet e minutës së fundit, që u cilësuan si ‘kozmetike’. Pasi Presidenti shqiptar i ktheu ligjet për shqyrtim, shumica parlamentare ra dakord të presë mendimin e Komisionit të Venecias përpara se të votonte paketën legjislative me një procedurë të përshpejtuar në mars 2020.
© SYRI.net