Mbi 90% e studentëve shqiptarë kërkojnë të largohen nga Shqipëria menjëherë sapo përfundojnë studimet.
Sipas një studimi të Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Shoqërore të bërë në vitin 2019 dhe të prezantuar dje në një aktivitet të organizuar nga Presidenti Ilir Meta, të rinjtë që kërkojnë më shumë të largohen nga vendi i tyre menjëherë sapo mbaron studimet janë ata që përfundojnë arsimimin për mjekësi, arte, stomatologji, arkitekturë, infermieri etj.
Të dhënat e nxjerra nga anketimi i bërë nga Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Shoqërore në viti 2018 krahasohen me vitin 2007. Sipas tabelës numër 7 të studimit, në vitin 2018 kanë filluar të largohen nga Shqipëria, pra të emigrojnë, ata të cilët kanë nivelin më të lartë të studimeve dhe ka rënë përqindja e emigrimit të shqiptarëve të cilët nuk kanë kryer shkollim.
Në vitin 2007 mbi 70% e emigrantëve potencialë ishin ata të cilët nuk kishin ndjekur arsimimin, ndërsa ata të cilët kanë ndjekur arsimin kanë qenë thuajse nën 10%. Në vitin 2018 numri më i lartë i atyre që largohen nga Shqipëria janë ata me universitet apo me arsimim të mesëm dhe me arsimim profesional, me mbi 60% e të rinjve. Ndërsa e kundërta ka ndodhur në vitin 2007, ku përqindja më e lartë e atyre që largoheshin ishin ata me arsim të ulët.
Ndërkohë, në fjalën e tij, drejtori i Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Shoqërore, Ilir Gëdeshi, ngriti shqetësimin se Shqipëria po përjeton hemorragji të trurit. “Vërehet me shqetësim që jashtë vendit po ikin fëmijët e elitës intelektuale të vendit. Problematik është fakti që 94% e tyre nuk dëshiron të kthehet në Shqipëri. Kjo është një humbje e madhe për vendin, sepse kapitali më i kualifikuar human, elita e studentëve shqiptarë nuk duan të kontribuojnë më në Shqipëri.
Po rritet shumë shpejt migrimi i mjekëve shqiptarë drejt Gjermanisë. Numër i mjekëve për 100 mijë banorë do të vijë duke u ulur, duke shkaktuar probleme me popullatën sa i përket shërbimit shëndetësor. Kjo do të provokojë largime të tjera të popullatës në mungesë të një shërbimi mjekësor cilësor”, tha Gëdeshi.