Në natën mes të mërkurës dhe të enjtes së javës së kaluar, gjegjësisht rreth orës 3:00 të mëngjesit, në qytetin Nancy të Francës, një person u qëllua për vdekje nga një armë e zjarrit.
Viktima në këtë rast ishte një 33-vjeçar me prejardhje nga Kosova.
Mediat në Francë raportuan për këtë rast, duke e shpallur si të dyshuarën kryesore për këtë vrasje partneren e tij, e cila para organeve të drejtësisë kishte dhënë deklarata të paqarta për ngjarjen.
Megjithatë, Prokuroria e Republikës së Nancyt të shtunën njoftoi se për këtë vrasje është ndaluar djali 13-vjeçar i tashmë viktimës, raporton “France Bleu”.
Ai dyshohet të ketë vrarë babanë e tij me një plumb në kokë.
Sipas të dhënave fillestare, ngjarja ka ndodhur si pasojë e problemeve martesore të çiftit. I pandehuri, vëllai i tij dhe nëna e tyre i thanë policisë se 33-vjeçari kishte konsumuar shumë alkool atë natë dhe më pas e kishte goditur bashkëshorten e tij.
“Pikërisht në këtë moment djali 13 vjeç, më i madhi nga pesë fëmijët e çiftit, kishte shkuar për të marrë armën e babait të tij. Ka hyrë në kuzhinë ku ishte babai i tij dhe ka shtënë me armë, duke e goditur babanë e tij në kokë”, ka sqaruar François Perain, prokuror i qytetit të Nancyt.
Viktima, që nuk ka pasur precedent të mëhershëm për dhunë, tha prokurori, vdiq po atë ditë në spitalin e Nancyt.
Djali 13 vjeç më pas kishte ikur bashkë me vëllain e tij dhe ishte shëtitur nëpër qytetin Nancy për një kohë në tentim për ta fshehur armën e vrasjes, para se të dorëzoheshin të nesërmen në polici.
Edhe nëna e tyre, që po ashtu gjendej nën masën e ndalimit, ka rrëfyer se djali i saj ishte autori i vrasjes, version ky i konfirmuar edhe nga vajza e tyre 7-vjeçare, e cila kishte qenë po ashtu dëshmitare e ngjarjes.
Të gjithë fëmijët e çiftit janë vënë nën kujdes të përkohshëm.