Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq tha sot se sulmi i armatosur në Banjskë, i cili u krye nga një formacion paramilitar, ishte akt terrorist.
“(Kryeministri i Qeverisë së Kosovës) Albin Kurti për mendimin tim është pacifist dhe intelektual”, ka thënë Rashiq për Nova.rs.
I pyetur se sa realiste është që KFOR-i të marrë përsipër sigurinë në veri të Kosovës, Rashiq tha se mandati i KFOR-it thotë se anëtarët e tij ruajnë kufijtë e jashtëm dhe për sa i përket sigurisë së brendshme, nuk është realiste të pritet një ushtar nga Finlanda, Turqia, Suedia, Britania apo dikush tjetër.
“Rrjedhimisht, për këtë ju nevojiten institucione që i njohin njerëzit dhe këtë e bën policia. Mendoj se është pothuajse e pamundur që KFOR-i ta mbrojë atë siguri të brendshme,” tha Rashiq.
Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pa u lirun.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.