Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresive në Kosovë, gjatë një interviste ka deklaruar se shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të nxisë luftë të re, prandaj Gjermania nuk dëshiron ta importojë një “Siri të Re” brenda Evropës.
Shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën gjë po angazhohen presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, mund të nxisë trazira dhe luftë të re, prandaj Gjermania nuk po dëshiron ta importojë një “Siri të Re” brenda Evropës.
Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” kryetari i Partisë Demokratike Progresive në Kosovë, Nenad Rashiq, duke shtuar se disa nga shokët e tij, bashkëpunëtorët e tij serbë, kanë vendosur të ikin nga Kosova pikërisht nga tensioni i krijuar muajve të fundit nga të dy presidentët.
Ai shprehet se 99 për qind e serbëve, të cilët jetojnë në jug të Ibrit, nuk e përkrahin idenë e Thaçit dhe të Vuçiqit për shkëmbimin e territoreve.
Sipas tij, një ide të tillë nuk e përkrah as Kisha Ortodokse Serbe, prandaj politikanët në Beograd po e detyrojnë shumicën e besimtarëve serbë që të mos shkojnë as në Kishë.