Avokati mbrojtës i të dënuarve në rastin Monstra paralajmëron se vendimi i Gjykatës Supreme do të dërgohet në gjykatën e Strasburgut, shkruan Alsat.
Naser Raufi thotë se vendimi i Supremes për të hedhur poshtë ankesat e dënuarve është i padrejtë, madje ai shprehet i bindur se zvarritja e procesit gjyqësor dëshmon se “Monstra” është rast i montuar.
“Ne do të aplikojmë te Gjykata e Strasburgut, kemi afat për pranimin e aktgjykimit prej 4 muaj për aplikim. Dhe mendoj qe këtu flagrante është dhe është dëshmuar se është thyer edhe mbrojtja, në shumë momente në shumë stadiume te gjykimit…Edhe para 11 viteve kur filloi kjo lëndë, te jemi te qarte se kishim dëshmi për këtë lëndë se këta nuk ishin fajtorët, kjo lëndë nuk do te zgjaste 11 vjet. Do te kryhej për 1 vjet ose 2 vjet. Vetë fakti që një dekadë bën rasti, tregon se është rast klasik i montuar”, tha Naser Raufi, avokat.
Ndërkohë partia Alternativa vlerëson se vendimi i Gjykatës Supreme për rastin “Monstra” e vulos fatin e shqiptarit të dënuar në procese të montuara.
“Sistemi i Gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut i dënon të pambrojturit dhe i shpërblen kriminelët e fuqishëm. Dëshmi për këtë ishte miratimi i përshpejtuar i Kodit Penal, me të cilin e shpëtuan Nikolla Gruevskin dhe shumë kriminelë si ai, njësoj siç synon edhe propozim-ligji për amnisti, me të cilin amnistohen disa kriminelë që i duhen pushtetit për të bërë dhunë dhe keqpërdorime zgjedhore”, thonw nga Alternativa.
Gjykata Supreme një ditë më parë i hodhi poshtë ankesat e të dënuarve në rastin “Monstra” Alil Demiri, Agim Ismailoviq dhe Afrim Ismailoviq, duke e lënë në fuqi aktvendimin e Apelit. Në vitin 2017, Supremja e riktheu në shkallë të parë “Monstrën”. Pas rigjykimit 5 persona u shpallën fajtorë. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq, në mungesë u dënuan me burg të përjetshëm, njëjtë sikurse edhe Agim Ismailloviq për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet heqje lirie, ndërsa Haki Aziri me 9 vjet burg. Sami Luta u shpall i pafajshëm. Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës ndodhi më 12 prill të vitit 2012./ Alsat.mk