Rasti ‘Toka’: Prona që u ble nga Shaban Syla për 150 mijë euro, u shit mbi 400 mijë euro

Dëshmitari Muharrem Kadriu, ka thënë se nga i akuzuari Shaban Syla kishte blerë pronë në vendin e quajtur Llapnasellë, në shumë mbi 150 mijë euro, ndërsa më vonë ia kishte shitur një personi për mbi 400 mijë euro, për të cilën pronë, ka deklaruar se nuk e kishte ditur se kishte pasur probleme.

Këtë deklaratë, dëshmitari e ka dhënë në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin e rastit “Toka”, ku për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar akuzohen ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe 17 persona tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Kadriu ka thënë se gjatë viteve 2006-2007, e kishte parë numrin kontaktues të Shaban Sylës, në pronën në Llapnasellë, në të cilën tha kishte qenë mbishkrimi në shitje.

Pas kësaj, ai tha se ishin takuar me të akuzuarin Syla dhe kishin biseduar për çmimin e shitjes dhe atë 2,850 euro për ari, ndërsa sipërfaqja e pronës tha se kishte qenë 55 ari.

“Me Shaban Sylen jemi takuar në një kafene diku në Ulpianë, kur e kam bërë pazarin ka qenë vetëm, para se me ba pazarin ka qenë edhe Shpresim Uka, rolin e të cilit nuk e di, po toka i ka taku vetëm Shaban Syles”, ka thënë dëshmitari.

Pagesën prej 156.000 euro, tha se fillimisht ia kishte dhënë të akuzuarit Shaban Syla në formën kesh, mirëpo pasi shërbimi kadastral i kishte kërkuar dëshmi të transferit bankar të mjeteve, ai tha se i akuzuari Shaban Syla ia kishte transferuar paratë në xhirollogarinë e tij, e ky pastaj ia kishte kthyer prapë përmes bankës.

Për shumën që ia kishte dorëzuar të akuzuarit Shaban Syla përmes bankës, ai tha se nuk kishte nënshkruar asnjë dëshmi për dorëzimin e parave.

Ai tha se kur kishin shkuar në gjykatë e kishte kuptuar se pronari i tokës kishte qenë një serb Vladojeviq, ndërsa i akuzuari Shaban Syla i autorizuar i tij, pasi sipas dëshmitarit, fillimisht kishte menduar se pronari i tokës kishte qenë i akuzuari Syla.

Më vonë, rreth vitit 2012, ai tha se këtë pronë ia kishte shitur personit Minister Jusaj, në vlerë 405 mijë euro, i cili sipas dëshmitarit, djalit të tij ia kishte dhënë edhe një veturë, vlerën e të cilës ka deklaruar se nuk ia din.

“Këtë pronë e kam blerë në 2006 ose 2007, ndërsa personit Minister më duket që ia kam shitur në 2012, qëllimi i blerjes ka qenë për përfitim personal, për ta shitur më vonë”, ka thënë dëshmitari.

Për këtë pronë, tha se ai personalisht kur e kishte blerë nga Shaban Syla nuk kishte pasur probleme, mirëpo tha se pasi ia ishte shitur personit Minister Jusaj, ai e kishte lajmëruar përmes telefonit se i kishin dalë probleme në lidhje me këtë pronë.

“Personi Minister nuk e di a ka pasur probleme për këtë pronë, ai vetëm njëherë më ka thirrur në telefon që u zbulu se po del toka fallc, po mendoj se nuk kanë qenë në rregull letrat, se ai kish dëgju dhe tha Muharrem unë ty të kam besuar, unë i thashë ti i ke besuar letrave sikur unë, i tregova se ku jam e ftova të pijmë nga një kafe, por nuk erdhi dhe asnjëherë nuk kam dëgjuar për të, bile edhe sot me pa nuk do ta njihja”, ka thënë dëshmitari Kadriu.

Pasi dëshmitari Kadriu ka deklaruar se shumën prej 156 mijë euro ia kishte paguar Shaban Sylës në para kesh, anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti e pyeti dëshmitarin se nga e kishte fituar ai këtë shumë të madhe të parave.

“Unë pas luftës e kam ndërtuar një pompë të benzinës në Podujevë “Llapi Petrol”, pastaj merremi edhe me bujqësi edhe me tregti, thjeshtë gjithë kam pasur pare”, është përgjigjur dëshmitari.

Ndërsa, në pyetjen tjetër se a kishte pasur ai njohuri se për çdo transaksion bankar mbi 10.000 euro, duhet të arsyetojë në bankë, dëshmitari ka thënë se për këtë nuk kishte pasur njohuri dhe se prona në fjalë kishte qenë e para që e kishte blerë pas luftës.

Kontratën për shitblerjen e pronës tha se e kishte lidhur një avokat të cili e kishte njohur i akuzuari Shaban Syla, Avni Maxhuni, i cili tha se e kishte lidhur edhe kontratën që ia kishte shitur pronën personit Minister Jusaj.

Për të akuzuarin Avni Maxhuni ai tha i kujtohet se kishte biseduar me djalin e tij dhe sipas dëshmitarit ky i fundit ia kishte propozuar blerësit Minister Jusaj për lidhjen e kontratës.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra se si ishte orientuar ai që të shkojë dhe të komunikojë me të akuzuarin Avni Maxhuni, dëshmitari ka thënë se atë e kishte njohur si avokat që merret me kontrata dhe çështje juridike.

Në pyetjen tjetër të gjykatësit Kalldura se a kishte fituar ai më shumë me biznesin që e kishte pasur me pompën e derivateve “Llapi Petrol”, apo me bujqësi, dëshmitari është përgjigjur “me të dyja po me Llapi Petrol ma shumë”.

Ndryshe, në këtë seancë, prokurori special Naim Abazi ka thënë se për shkaqe teknike nuk ka mundur të listojë dhe kategorizojë provat materiale që duhet administruar dhe për këtë arsye ai tha se për seancën e radhës do të bëjë përpjekje që këto prova të dorëzohen me shkrim.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Syla, avokati Agron Curri dhe mbrojtësi i të akuzuarit Lubisha Vujoviq, avokati Zhivojin Jokanoviq, kanë kërkuar nga gjykata që të mbrojturve të tyre t’iu ndërpritet masa e paraburgimit apo t’iu zëvendësohet me ndonjë masë tjetër alternative.

Sipas avokatit Jokanoviq, kishin pushuar shkaqet për vazhdimin e kësaj mase, pasi sipas tij një ndër arsyet e caktimit të paraburgimit kishte qenë ndikimi në dëshmitarë, dhe pasi ishin administruar edhe provat, ai tha se nuk kishte arsye që i mbrojturi i tij të mbetet akoma në paraburgim.

“Nëse e pranoj aktakuzën kështu siç është, del se kontaktin e fundin apo veprimi i fundit është bërë me 16 prill 2009, dhe se ato vepra edhe nëse do të ekzistonin ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale prandaj konsideroj se nuk ekzistojnë asnjë supozim që të vazhdohet më tutje paraburgimi”, ka thënë avokati Jakanoviq.

Ndërprerjen e paraburgimit e ka kërkuar edhe i akuzuari Vujoviq cili ka thënë se tezja e tij të cilën e kishte pasur si nënë i kishte ndërruar jetë nga e cila kishte trashëguar edhe një banese.

Edhe i akuzuari Shaban Syla, ka kërkuar ndërprerjen e kësaj mase.

‘Unë e mbështes avokatin tim, pasi kam qenë i dënuar për një vepër tjetër penale me 8 vite burgim edhe pse e kam mbajtur dënimin më shumë se 8 vite për shkaqe teknike gjyqësore, për arsye se afër 4 vite kam qëndruar në arrest shtëpiak të cilin edhe kryetari i gjykatës e ka dokumentacionin dhe asnjëherë nuk e kam shkelur arrestin shtëpiak, edhe pse kam qenë i dënuar për një vepër inekzistente, unë prapë e kam respektuar hierarkinë gjyqësore dhe prapë do ta respektojë. Kërkoj nga trupit gjykues të më zëvendësoni këtë masë më ndonjë masë më të butë, për arsye se unë nuk jam larguar nga ky vend edhe kur është dashur të largohem”, ka qenë kërkesa e të akuzuarit Shaban Syla.

Pasi këto propozime janë kundërshtuar nga prokurori Abazi, në fund edhe trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Beqir Kalldura kanë refuzuar këto propozime dhe njoftuar se masat e paraburgimit do të mbeten në fuqi.

Në këtë seancë kishin munguar dëshmitarët Enver Qoqaj dhe Mehmet Nuredini, ku për këtë të fundit me propozim të prokurorit Abazi është lexuar deklarata e tij e dhënë në policinë e EULEX-it në gusht 2016, ndërsa për shkak se dëshmitari Qoqaj gjendet në Australi, gjykata sipas detyrës zyrtare nuk e kishte pranuar cilësinë e dëshmitarit, për shkak të pamundësisë për të siguruar prezencën e tij.

Seancat e radhës ku pritet të jepet mbrojtja nga ana e 17 të akuzuarve janë caktuar për 16, 22 dhe 30 janar, si dhe me 19 shkurt 2020.

Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Më 12,13 dhe 15 dhjetor të vitit 2016, ishte mbajtur seanca fillestare, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Pas seancave fillestare, mbrojtja brenda afatit prej 30 ditësh, kishte paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.

Kryetari i atëhershëm i trupit gjykues, gjykatësi Arkadiusz Sedeck, pasi kishte pranuar kundërshtimet e mbrojtjes, kishte refuzuar të njëjtat dhe më 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë, ndërsa pas ankesave në Gjykatën e Apelit, shkalla e dytë e kishte konfirmuar aktakuzën më 26 tetor 2017.

Sedeck, fillimin e shqyrtimit gjyqësor e kishte caktuar, pas më shumë se një viti nga vendimi i Apelit, më 9 janar 2018, por e njëjta kishte dështuar për shkak të mosplotësimit të trupit gjykues.

Edhe pse kishte caktuar shumë seanca të tjera, gjyqtarët e EULEX-it nuk kishin mundur që të fillojnë këtë shqyrtim, pasi EULEX-i hoqi dorë nga ky rast dhe lënda kaloi të gjyqtari vendor Beqir Kalludra.

Ndërsa, pas disa dështimesh seanca e parë e këtij shqyrtimi ishte mbajtur më 3 shtator 2018, ndërsa fjala hyrëse në këtë rast ishte dhënë në seancën e 25 qershorit 2019.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njejtit është veçuar procedura.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme