Kryetari i partisë “Maqedonia e Bashkuar”, Janko Baçev përmes një kumtese ka shprehur keqardhje për nënshkrimin e Protokollit qasës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Sipas tij, pushteti aktual e ka futur vendin në një “organizatë gjenocidale”.“Dje në Bruksel ishte një ditë e rëndë dhe trishtuese për Maqedoninë pas nënshkrimit të Protokollit për anëtarësimit në organizatën gjenocidale të NATO-s me qëllim fshirjen e emrit të shenjtë maqedonas, identitetit, historisë dhe traditës së popullit maqedonas”, thuhet në komunikatën partiake.Baçevi, i cili është i njohur për qëndrimet e tij antiperëndimore dhe si mbrojtës i deklaruar dhe agresiv i interesave të Moskës në Maqedoni, e akuzon minsitrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitorv se është “spiun i CIA-s”, i cili po e “fshin kombin maqedonas”.
“Maqedonasi bullgar Dimitrov tha “po” aty ku popullata maqedonase dhe pjesa më e madhe e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në referendumin e shtatorit të vitit të kaluar thanë “jo”. Askush nuk i dha të drejtën spiunit të CIA-s Dimitrov në emër të kësaj gjenerate maqedonase të nënshkruaj fshirjen e kombit maqedonas në emër të gjeneratave të mëparshme dhe të ardhshme të maqedonasve”, thuhet në komunikatën e partisë së Baçevit.