Kryetari i Komisionit Shtetëror për Kufirin me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi i është përgjigjur deklaratave të deputetëve nga LDK-ja, që po kundërshtojnë që raporti i komisionit që ai drejtoi të jetë pjesë e votimit në seancën e paraparë të mbahet sot.
Deputetët e LDK-së kanë kërkuar që në këtë seancë të mos jetë pjesë e votimit edhe raporti i Shpejtim Bulliqit, por vetëm marrëveshja e presidentëve.
Bulliqi ka thënë se heqja e raportit të tij është tendencë për të fshehur humbjen e territorit.
“Largimi i raportit tim është tendencë që mos nxjerret realiteti i humbjes së territorit dhe mos realizimit të deklaratës së dy presidentëve. Korrigjimi bazohet në ligj e jo në raporte” ka thënë Bulliqi.
Bulliqi edhe gjatë legjislaturës së kaluar sa ishte deputet i LDK-së, në vazhdimësi e kishte kundërshtuar marrëveshjen e Komisionit të Murat Mehës për demarkacionin, ngase sipas tij, nga ajo marrëveshje Kosova humb hiq më pak se 8 mijë hektarë tokë.
Ndryshe, seanca a paraparë të mbahet sot për demarkacionin ende nuk ka filluar dhe besohet se do të shtyhen, ndonëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht një gjë e tillë.