Qytetarët në rrugë me traktorë për të mbrojtur votat.
Në rajonin e Katalonjës është bërë çdo gjë gati për referendumin për pavarësi që mbahet të dielën. Madje shumë traktorë kanë pushtuar rrugët e rajonit dhe do të përdoren për të mbrojtur qendrat e votimit. Nga ana tjetër qeveria spanjolle ka bllokuar hapësirën ajrore të Katalonjës.
Traktorë, të dekoruar me flamurin e vetëshpallur të pavarësisë së Katalonjës pushtuan rrugët e këtij rajoni për të mbrojtur votat e referendumit të së dielës. Manifestues pro shkëputjes nga Spanja, përdorën këto mjete për të mbrojtur kauzën e tyre në qytetin e Barcelonës, duke kaluar afër kishës së famshme, “Sagrada Familia”.
Liderët katalanas kanë publikuar edhe kutitë e votimit që kanë në plan të përdorin ditën e diele. Ata kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe për zhvillim të qetë të procesit të votimit në referendum. Por nga ana tjetër qeveria e Spanjës është zotuar të ndalojë referendumin, të cilin e quan antikushtetues.
Medridi ka mbyllur hapësirën ajrore në Barcelonë dhe ka ndaluar fluturimet e avionëve privatë dhe helikopterëve. Madje qeveria spanjolle I ka kërkuar kompanisë Google që të bllokojë një aplikacion që iu shpjegon qytetarëve mënyrën e votimin në referendum.
Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë, politikanët katalanas nuk kanë ndërmend të heqin dorë. Sipas një ligji të kaluar në parlamentin lokal, liderët e Katalonjës mund të shpallin pavarësinë nga Spanja brenda 48 orëve pas shpalljes së rezultatit.
Rajoni i pasur prej 7.5 milionë banorësh në Spanjën veri-lindore ka gjuhën dhe kulturën e vet dhe një shkallë të lartë autonomie, por nuk njihet si një komb i ndarë nga shteti spanjoll.