Hapja e kutisë së Pandorës, shpenzime të panevojshme në kushte krize, nisma me anomali të shumta. Kështu Qeveria e vlerëson kërkesën për referendum për anulimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, të cilën kryeparlamentari Talat Xhaferi e hodhi poshtë si jokushtetuese. Për opozitën, ndërkaq, referendumi është rrugëdalja nga “marrëveshja e dëmshme me Sofjen”. Mbeten në qëndrimin se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese, ndërsa vendimin e Xhaferit e konsiderojnë për arbitraritet.
Nisma për shpalljen e referendumit, sipas ministrit të Drejtësisë Nikolla Tupanceskiz, ka mjaft anomali dhe mangësi juridike që e bëjnë të pamjaftueshme nga pikëpamja juridike për të arritur një qëllim të imagjinuar.
Ministri vlerëson se para se nisma të dorëzohet është dashur të merren parasysh dispozitat e Kushtetutës, ligji për referendumin dhe Rregullorja e Kuvendit.
“Në nenin 118 të Kushtetutës rregullohet shprehimisht çështja e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në këtë kontekst të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ato, siç thuhet në këtë nen, paraqesin pjesë përbërëse të rendit të brendshëm juridik të shtetit dhe nuk mund të ndryshohen me ligj”, tha Tupançeski. Sipas tij, e drejta ndërkombëtare duhet të respektohet, përndryshe, kjo do të çonte deri në hapjen e kutisë së Pandorës.
Në këtë moment nuk nevojitet referendum, konsideron zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiqi. Ai është decid se tani nevojitet të fokusohemi në ndërtimin e një konsensusi për vazhdimin e integrimeve evropiane, por edhe në ndërtimin e një konsensusi për ndryshimet kushtetuese.
“Për këtë pyetje, të formuluar në këtë mënyrë, në këtë moment nuk nevojitet referendum, nga njëra anë sepse kushton tetë milionë euro vetë organizimi i një referendumi, i cili nuk na nevojitet në kushtet e krizës, në kushtet kur jemi para dimrit për të cilin ne po luftojmë që të kemi furnizim të rregullt, çmime më normale për të gjitha ato produkte kryesore si rryma, gazi etj”, tha Mariçiq.