Katër raste të reja të kollës së keqe janë regjistruar në vend, konfirmoi zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive (KSI), Zlate Mehmedovic. Sipas të dhënave të fundit numri i të infektuarve me këtë sëmundje është rritur në 22 që nga fillimi i vitit.
Komisioni është mbledhur dje (7 shkurt) dhe ka propozuar shpalljen e epidemisë në territorin e qytetit të Shkupit.
Në vend ka fëmijë të shtruar në spital, por edhe të rritur me kollë të keqe.
KSI-ja rekomandoi ndalimin e pranimit të fëmijëve të pavaksinuar kundër kollës së keqe në kopshte dhe pritet që këto masa të nxisin interesin për vaksinim, pasi fokusi është në mbrojtjen e më të vegjëlve, tek të cilët kjo sëmundje mund të jetë me pasoja më të rënda.