Fushata e kandidatit të opozitës shqiptare, Blerim Reka do të bazohet në promovimin e shtetit të të gjithëve. Reka i cili sot falënderoi qytetarët për mbështetjen e dhënë me nënshkrimet e nevojshme theksoi se për dallim nga kandidatët e tjerë, fushata e tij nuk do të jetë tradicionale.
“Në krahasim me kandidaturën e Pendarovskit i cili e ka moton “Shoqëri për të gjithë”, unë dalloj prej tij sepse unë them shteti për të gjithë. Nuk mjafton që të thuhet shoqëri për të gjithë që qytetarët të jenë të barabartë. Sa i përket kandidaturës së Siljanovskës, unë aty dalloj sa i përket dy poentave që ajo i potencon në fushatën e saj dhe ajo është kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes së Ohrit. Unë përkundrazi jam për të dyja marrëveshjet”, theksoi Blerim Reka, profesor.
Kandidatët deri më 21 mars duhet t’i përmbushin kushtet ligjore për të marr pjesë në garën presidenciale. Më 1 prill fillon fushata zgjedhore ndërsa më 21 prill zhvillohet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Që zgjedhjet të jenë ligjore dhe legjitime, në votim duhet të dalin 40 për qind nga lista e qytetarëve që kanë të drejtë vote.