Gazetar: Miki Trajkovksi
Struga shënon rënie alarmante të numrit të nxënësve në vitet e fundit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë dy dekadave numri i tyre është ulur për 3000 nxënës. Vendbanimet rurale të Strugës, dikur të mbushura me fëmijë, sot janë pothuajse të zbrazëta. Jo vetëm që numri i nxënësve të klasës së parë po ulet vazhdimisht, por çdo vit bie edhe numri i paraleleve në klasat më të larta. Nga ana tjetër numri i mësimdhënësve dhe stafit tjetër të sapopunësuar po rritet.
“Në periudhë prej 20 vitesh, Struga ka mbi 3000 nxënës më pak. Ndërsa në periudhë prej 5 vitesh, numri është ulur për rreth 500 fëmijë. Megjithatë, këtu është paraqitur një dukuri interesante. Nga analizat që kemi bërë rezultoi se, edhe pse numri i nxënësve është zvogëluar, numri i të punësuarve është rritur. Këtë e shpjegova shkurt edhe më parë. Pra, ekzistojnë dy arsye: së pari, niveli më i ulët i natalitetit dhe së dyti, migrimi”, deklaroi Xhemi Hajredini – udhëheqës i Sektorit për Arsim.
Për shkak të kësaj situate, autoritetet lokale në Strugë propozojnë mbylljen e shkollave fillore në zonat rurale, si dhe zvogëlimin e numrit të paraleleve. Edhe kryetari i komunës, Mendi Qyra, e mbështet idenë, për të cilën thotë se do të jetë e pashmangshme, por se nuk do të ketë largime të mësimdhënësve nga puna.
“Do të bëjmë racionalizim sepse kjo është kërkuar nga Ministria e Arsimit. Kjo realizohet në koordinim me Ministrinë e Arsimit. Ne si komunë kemi ndërmarrë masa sepse kemi paralele me nga një nxënës, ku për një nxënës ka deri në 30 mësimdhënës. Kjo nuk është vetëm barrë financiare, por edhe mungesë e socializimit te nxënësit. Sigurisht që nuk ka efikasitet në procesin mësimor dhe këtu duhet të bëhet racionalizim..”, tha Mendi Qyra – kryetar i Komunës së Strugës.
Qyra thotë se edhe Ministria e Arsimit dhe UNICEF-i kanë insistuar që ky racionalizim i shkollave të zbatohet. Plani i komunës së Strugës, siç ka raportuar më herët Alsat, parashikon që nga shtatori të mbyllen ose të vendosen në pushim 8 shkolla fillore rajonale, ndërsa nxënësit të vazhdojnë mësimin në shkollën më të afërt. Më pas parashihet edhe mbyllja e 4 shkollave fillore qendrore në fshatrat Jabllanicë, Drsllajcë, Tatesh dhe Podgorcë, si dhe bashkimi i tyre me shkolla të tjera. Që propozimi të realizohet, duhet të marrë dritën jeshile nga Këshilli i Komunës./Alsat.mk.
The post Rënie e madhe e numrit të nxënësve në Strugë, shkollat rurale mbeten thuajse bosh appeared first on Alsat.



