Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj tha të mërkurën se vazhdimisht janë duke punuar për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, ndërsa tashmë kanë filluar edhe një hulumtim të mirëfilltë shkencor, së bashku me ekspertë japonez, lidhur me ndotësit e ajrit në vend.
Ministrja Reshitaj në emisionin “Zyra e Ankesave” në RTV Dukagjini theksoi se hulumtimi ka filluar dhe në pranverë pritet të dalin rezultatet e para, ndërkaq i tërë hulumtimi do të zgjasë 18 muaj dhe përveç ekspertëve japonez do të ketë edhe ekspertë vendor.
“Ajo që dua ta them është se kam kërkuar që njëherë e përgjithmonë ta dimë saktë nga na vjen ndotja dhe kush janë faktorët apo akterët kryesore që ndotin ambientin. Jemi duke punuar në një strategji të qëndrueshme për mjedisin, ku preket normalisht edhe çështja e ajrit”, tha ministrja.
Ajo shprehu bindjen se deri në vitin tjetër do të kenë një plan të qëndrueshëm të punës sa i përket nivelit të ndotjes së ajrit, transmeton Telegrafi.
“Të gjithë e dimë sa kemi ndotës në vendin tonë, por ajo çka ne si ministri duhet t’i ofrojmë qytetarëve është informacioni dhe plani strategjik i veprimit”, tha Reshitaj, duke shtuar se duhet t’i obligojnë edhe institucionet dhe komunat të marrin veprime në bazë të përgjegjësive që kanë për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, transmeton Telegrafi.
Ajo bëri të ditur se tashmë kanë Grupin punues që po identifikon pikat ndotëse në Kosovë dhe vetëm në muajin tetor dhe nëntor janë identifikuar 130 pika më ndotëse në regjionin e Prishtinës.
Reshitaj tha se ky grup tashmë po punon në rajonin e Gjakovës për të identifikuar pikat më ndotëse. /Telegrafi/