Përbërja e re e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet të enjten, por ajo që është bërë çështje rutinë në 18 vjet që kur Kosova u shkëput nga Serbia shënon një tjetër moment historik në një udhëtim të jashtëzakonshëm për një anëtar të ri të asamblesë.
Saranda Bogujevci i mbijetoi 16 plumbave dhe humbi 14 anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe dy vëllezërit, gjatë sulmit brutal të ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve etnikë në krahinën e atëhershme jugore në 1998-99.
Katër vjet më vonë, Bogujevci, atëherë 18 vjeç dhe tre kushërinjtë u bënë viktimat e para etnike shqiptare që dëshmuan para një gjykate serbe rreth mizorive të kryera nga forcat e Slobodan Millosheviç.
Të enjten ajo do të betohet si një anëtare e re e parlamentit të partisë opozitare Vetëvendosje, e cila dyfishoi pjesën e saj të votave në zgjedhjet e qershorit në një premtim për të luftuar korrupsionin endemik dhe nepotizmin në shtetin e vogël ballkanik.
“Është e vështirë të kalosh këto përvoja dhe të shohësh qeveritë që nuk po punojnë dhe bëjnë të pa drejta ndaj popullit dhe kjo është ajo që më shtyu të futem në politikë”, tha Bogujevci për Reuters, gjatë një vizite në varret e familjes së saj në Podujevë, në veri të kryeqytetit të Prishtinës.
“Gjithmonë kam imagjinuar se çfarë do të ishte Kosova pas 20 vjetësh”, tha ajo.
Familja Bogujevci u vranë në një kopsht të pasmë të shtëpisë së tyre në Podujevë më 28 mars 1999 nga pjesëtarët e një njësive paraushtarake serbe të njohur si Skorpionet, ku viktima më e re ishte dy vjeçe./Indeksonline/