Gazetar: Suad Bajrami
Kryetari i Gazi Babës nga radhët e VMRO-DPMNE, Boban Stefkovski, ka njoftuar se në shkollat fillore të komunës, çdo të hënë mësimi do të fillojë me intonacionin e himnit shtetëror me qëllim të edukimit të fëmijëve për ta dashur dhe Maqedoninë.
“Himni nuk është vetëm këngë. Ai është simbol i lirisë sonë, shtetësisë, historisë dhe sakrificës së gjeneratave që kanë luftuar për Maqedoninë e Pavarur. Nëpërmjet arsimit i ndërtojmë njohuritë dhe ardhmërinë e fëmijëve, por njëkohësisht i mësojmë ta respektojnë atdheun e tyre, simbolet e tyre nacionale dhe vlerat që na bashkojnë”.
Sipas të dhënave të regjistrimit të fundit të popullsisë në Komunën e Gazibabës jetojnë 69.626 banorë, 65% maqedonas, mbi 20% shqiptar dhe 15% nga komunitetet tjera. Në këtë komuna gravitojnë edhe disa shkolla ku shumica e nxënësve janë shqiptarë, megjithatë ende nuk dihet nëse do të zbatohet një vendim i tillë në të gjitha shkollat, pasi deri tani nuk është lëshuar vendimi zyrtarisht.
Në fakt, ideja për intonacionin e himnit në shkolla nuk është e re. Në vitin 2023, gjatë kohës derisa VMRO-DPMNE-ja ishte në opozitë, kryetari i saj Hristijan Mickoski inkurajoi një iniciativë të këtillë për të gjitha komunat e shtetit, për çka Komuna e Aerodromit, Gazi Babës, por edhe Butelit morën vendim për intonacionin e himnit shtetëror. Praktika e këtillë për shkurt kohë u ndërpre pasi nëpër disa shkolla u publikuan video nga nxënësit në rresht, të cilët me zë e këndonin himnin.
Kjo iniciativë nuk u mbështet nga faktori politik shqiptar, përfshirë edhe opozitën e atëhershme që më pas u shkri në VLEN. Kryetari i Lëvizjes Besa, por edhe i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami asokohe ishte kategorik se himni shtetëror nuk përfaqëson multietnicitetin e shtetit dhe për këtë në komunat me shumicë shqiptare, duhet të intonohet himni shqiptar.
“Përderisa është ky realitet, atëherë kjo nënkupton që ose të ndërrohet himni i shtetit dhe të respektojë diversitetin kulturor dhe etnik ose nëse bihet vendim kështu që është të intonohet, atëherë duhet të respektohet përkatësia multietnike e shtetit dhe e shoqërisë dhe në komunat apo lokalitetet me shumicë shqiptare si komuniteti i dytë shumicë, duhet të intonohet edhe himni shqiptar”, ka deklaruar Bilall Kasami më 25.10.2023.
Pikërisht ky qëndrim është reflektuar edhe në programin zgjedhor të VLEN-it, madje që në kapitullin e parë ku flitet për barazinë kombëtare dhe Marrëveshjen e Ohrit. VLEN ka premtuar para qytetarëve se përdorimi i himnit, stemës, flamurit kombëtar shqiptar në shkollat e në institucionet do të gëzojnë të drejtën e barabartë ligjore me atë të maqedonasve.
Në fakt, ky premtim nuk është realizuar as për së afërmi. Të gjitha këto segmente, vazhdojnë të jenë në nivel ashtu siç kanë qenë përpara se VLEN të vijë në pushtet.
Alsat kërkoi qëndrim nga partneri shqiptar në Qeveri VLEN, e cila aktualisht udhëheqë me 9 komuna, pa përfshirë Komunën e Strugës, ku në zgjedhje dhanë mbështetje. Megjithatë, partia me të cilën udhëheqë Bilall Kasami e Izet Mexhiti nuk përgjigjen nëse do të kërkojnë nga kryetarët e komunave të cilat udhëhiqen nga kuadrot e tyre, të intonohet himni shqiptar. /Alsat.mk.
The post Rikthehet ideja për këndimin e himnit shtetëror në shkolla, VLEN ka premtuar barazi me himn shqiptar appeared first on Alsat.




