Gazetar: Avni Tahiri
Edhe pse në hyrje të Çarshisë së vjetër të Shkupit, gropat nga kalldrëmi i thyer janë pamja e parë e mosndërhyrjes institucionale në përmirësim të infrastrukturës në këtë zonë, përsëri çarshia e vjetër ka vijuar të jetë një nga destinacionet kryesore për turistët e huaj gjatë sezonit veror.
Të dhënat më të fundit zyrtare tregojnë se vetëm për një muaj, në nivel vendi janë regjistruar mbi 113 mijë turistë, prej të cilëve mbi 87 mijë kanë qenë vizitorë të huaj.
Çarshia e Vjetër, Kalaja e Shkupit, Ura e Gurit dhe monumentet kulturore janë ndër atraksionet që tërheqin vizitorë gjatë muajve të verës dhe mbeten pikat më të vizituara nga turistët e huaj.
Sipas statistikave zyrtare, turizmi në vend vazhdon të mbështetet kryesisht nga turistët e huaj. Por, sa të kënaqur janë bizneset me sezonin veror? Disa e vlerësojnë si të begatë, ndërsa të tjerë thonë se, pavarësisht rritjes së numrit të turistëve, shitjet kanë qenë të pamjaftueshme.
”Vitet e kaluara ishin më ndryshe. Kriza e ka bërë të veten ndërsa turqit janë ata që shpenzojnë më së shumti pasi marrin gjera për familjarë si magnete apo suvenire por përsëri kriza ka ndikuar. ”Nga e gjithë Evropa vijnë po ashtu edhe mërgimtarë nga Australia, Kanada kur është koha e pushimeve. Çdo vit nga 10 apo 20 % ka më pak shitje. Ka ndikuar kriza botërore, nuk ka para në xhepm,” tha një shitës i Çarshisë.
”Më së shumti kishim turistë nga Turqia dhe Italia. Kanë shpenzuar pakës por jo siç duhet. Nëse bëjmë krahasim me vitin e kaluar? Këtë vit është më dobët,” tha një tjetër shitës i Çarshisë.
“Me turistë ka qenë numri më i madh por për bizneset ka qenë jo aq i mirë fitimi. Gjithkund rriten çmimet por ne nuk jemi biznese që mund të rrisim çmimet dhe ngelemi të fundit që të rrisim çmimet. Për këtë arsye kemi shkuar që turisti të jetë më i kënaqur,” u shpreh një shitës i Çarshisë.
Në gjashtë muajt e parë të vitit, Maqedoninë e Veriut e kanë vizituar mbi 518 mijë turistë, ndërsa numri i turistëve të huaj ka arritur në mbi 396 mijë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri total është 0.5% më i ulët, ndërsa numri i turistëve të huaj është rritën me 0.3%. /Alsat.mk
The post Turistët nuk mungojnë, por kalldrëmi i thyer dhe shitjet e dobëta shqetësojnë bizneset appeared first on Alsat.



