Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka mohuar që ndonjë zyrtarë i Qeverisë dhe i Lëvizjes Vetëvendosje ka lidhje me kompaninë EFT, dhe se Kosova nuk ka importuar energji elektrike nga EFT.
Ajo në një konferencë për media tha se raportimet për këto janë të pavërteta, apo siç tha, janë gënjeshtra.
Rizvanolli ka theksuar se Qeveria nuk është përgjegjëse për licencim të kompanive as për mbikëqyrjen e tregut e energjisë elektrike, megjithatë thotë se tashmë është e konfirmuar që gjatë qeverisjes së tyre nuk ka asnjë kontratë me EFT.
Së pari dua që ta keni parasysh që ne si Qeveri nuk jemi përgjegjës për licencimin e kompanive as për mbikëqyrjen e tregut e energjisë elektrike dhe njëkohësisht nuk posedojmë kontrata e tregtimit të energjisë së kompanive, mirëpo këto i kanë vetëm kompanitë vet dhe rregullatori ZRRE. Megjithatë me qëllim të mirinformimit të publikut ne i kemi kontaktuar kompanitë për këtë çështje dhe ndërmarrjet publike KOSTT dhe KEK kanë konfirmuar se gjatë qeverisjes sonë nuk kanë pasur asnjë kontratë me EFT. Për më tepër edhe ndërmarrjet private KESCO e KEDS kanë konfirmuar të njëjtën që nuk kanë pasë asnjë kontratë me EFT gjatë qeverisjes sonë”, tha Rizvanolli.
Edhe deklaratat se me 28 nëntor Kosova importoi energji elektrike nga EFT, Rizvanolli i ka quajtur të pavërteta.
“Përkundër kësaj për të mbështetur gënjeshtrën se kinse po importohet energji nga EFT në publik janë plasuar disa rezultatet të ankandeve për shfrytëzimin e kapaciteteve ndërkufitare. Këto janë paraqitur sikur të ishin dëshmi e blerjeve të operatorëve në Kosovë nga EFT, që në fakt nuk janë. Çfarë tregojnë të dhënat nga Zyra e Ankandeve të Koordinuara të Evropës Juglindore. Të dhënat tregojnë kush ka blerë kapacitet ndërkufitare, pra kush ka blerë të drejtën për të shfrytëzuar linjat në kufijtë e Kosovës për të bartur energji. Ju kanë treguar se me 28 nëntor EFT ka bartur energji nga Mali i Zi në Kosovë dhe nga Maqedonia në Kosovë, mirëpo Kostt i ka analizuar të gjitha të dhënat e plota, të detajuara dhe ka konstatuar se e tërë energjia që ka hyrë në Kosovë nga EFT edhe ka dalë nga Ksova, pra EFT e ka shfrytëzuar rrjetin vetëm për tranzit dhe asnjë megavat nuk ka mbetur në Kosovë, pra, kjo i bie sikur malli i një kompanie me pronar serb që hynë nga Mali i Zi dhe kalon nga Kosova në Maqedoni të Veriut dhe shitet në Maqedoni të Veriut, të quhet import i Kosovës nga Serbia që është komplet e pabazë dhe e pasaktë. Megjithëse të dhënat e publikuara nuk kanë të detajuara siç i ka KOSTT si operator i rrjetit dhe tregut, kushdo që do përnjëmend me pa se çfarë po ndodhë, si minimum i sheh edhe daljet e energjisë kur i sheh hyrjet. Po besoj që krejt ata që falsin për këtë temë ju kanë tregu qysh EFT ka ble kapacitet me fut energjinë në Kosovë, por kanë zgjedh me injoru faktin që po në këtë datë EFT ka ble kapacitet edhe për me nxjerrë energjinë nga Kosova”, deklaroi Rizvanolli.



