Romët në Maqedoninë e Veriut jetojnë në gjendje të rëndë

Gazetar: Ardit Ramadani

Hipokrizia e shtetit dhe vëmendja prej disa orëve nga gjithë viti për të drejtat, sfidat dhe nevojat e komunitetit rom bëhet çdo fillim të muajit prill. Ashtu edhe sot, në një sallë për të dëgjuar hallet e tyre u mblodhën presidenti, ministra e ambasadorë të Bashkimit Evropian.

“Për fat të keq kur flasim për romët në 3 dekadat e fundit, ne diskutojmë për probleme bazike, edhe atë problemi me qasje në ujë, energji elektrike, infrastrukturë të duhur, arsim cilësor dhe shërbime shëndetësore, flasim për papunësi të lartë dhe me qasje të kufizuar në drejtësi”, deklaroi Stevo Pendarovski, president.
Ndër pjesëmarrësit dhe më të zëshmit në këtë ngjarje ishte i pari i Arsimit, Jeton Shaqiri. Por, çka thonë raportet ndërkombëtare për qasjen e ministrisë që ai udhëheq në raport me romët? Në raportin e Komisionit Evropian, thuhet se një pjesë e madhe e romëve nuk kanë qasje në arsim dhe se institucionet kompetente, nuk kanë ndërmarrë masat e mjaftueshme për të parandaluar këtë si dhe për t’i kthyer në bankat shkollore romët që kishin ndërprerë arsimimin.

Gjithashtu përmendet diskriminim i skajshëm i romëve në disa aspekte të kësaj fushe, ku vetëm 52% e tyre janë të përfshirë në Arsim të Lartë. Ky numër, raportohet të jetë shumë më i lartë por i pa-regjistruar, për shkak se një pjesë e madhe e tyre nuk posedojnë asnjë dokument personal.

E pranishme ishte edhe ministrja e Punës, Jovana Trençevska. Sipas raporteve ndërkombëtare, numri i romëve të papunë është mbi 10,000 dhe përmirësimi në këtë drejtim thuajse është i padukshëm. Pjesa më e madhe e romëve nuk përfitojnë nga shërbimet sociale. Grave rome vazhdojnë të ju mungojnë kushtet themelore për jetesë ndërsa fëmijëve rom, ju shkelet çdo e drejtë – ata detyrohen të përfshihen në lypësi dhe aktivitete tjera të kundërligjshme. Sipas romëve të anketuar nga ALSAT, ata përballen me diskriminim çdo ditë dhe kudo.

“Diskriminimin e ndjejmë çdo ditë, për shembull ka raste që në autobusë romët nuk i lejojnë të hyjnë, kur aplikojnë për punë dhe punëdhënësi e sheh se ka emër dhe mbiemër musliman dhe e kupton që është rom, nuk e punëson”.

“E ndjejmë diskriminimin edhe fizikisht edhe psiqikisht, jo vetëm në Maqedoni, por në të gjithë botën. “Edhe në arsim jemi të diskriminuar, edhe gjatë kërkimit për punë, kur shkojmë në mjek, gjithashtu e ndjejmë atë diskriminim”.

ALSAT sot vizitoi lagjen “Shuto Orizari”, e cila shpesh herë ka qenë pre e kontrolleve policore pa u zbatuar procedurat ligjore paraprakisht për këtë ndërsa sipas Avokatit të Shtetit, ka pasur raportime edhe për brutalitet policorë. Romët kanë vetëm 1 përfaqësues në shtëpinë ligjvënëse ndërsa Komisioni Antidiskriminim gjatë vitit është marrë me disa raste të diskriminimit ndaj romëve, përfshirë edhe raste ku atyre u është mohuar uji i pijshëm.

Përkundër këtyre problemeve, institucionet vendase vazhdojnë të përpilojnë “strategji” për përfshirje të romëve në politikat publike dhe përmirësimit të kushteve të tyre, e para u përpilua në vitin 2016 ndërsa e fundit vitin e kaluar. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme