Inspektorati Policor i Kosovës nuk ka marrë asnjë vendim për drejtorin e Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti, i cili në videot e reja të publikuara, shihet qartë teksa rrah shoqëruesin e Agron Mustafës në qendër të Prishtinës.
IPK-ja nuk i ka kërkuar Policisë suspendimin e Sahitit, ashtu siç kishte bërë më herët me zyrtarin tjetër, Avni Berisha.
Menaxhmenti i IPK-së nuk ka pranuar të flasë për këtë. Prokuroria thotë se aktualisht është duke i hetuar që të dy personat e përfshirë dhe vetëm për veprën penale ‘lëndim i lehtë trupor’, megjithatë pas mbledhjes së informatave tjera, kjo mund të ndryshojë.
Drejtori i Telekomit të Kosovës insiston se ai nuk e di pse është sulmuar, megjithatë supozon se kjo lidhet me punën e tij.
Në një intervistë në Interaktiv, Mustafa ka pranuar për herë të parë se është intervistuar si i dyshuar për rastin e kontratës me ZMobile.